RTK

“U keqcitova”: Besnik Boletini del me sqarim për “pizhamet e miniqat” e përmendura në mbledhjen e Bordit të RTK-së

Në mëngjes, Sindikata e Pavarur e RTK-së e akuzoi Besnik Boletinin, kryetar i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, për përdorim të gjuhës seksiste gjatë një mbledhje të Bordit të RTK-së, duke kërkuar dorëheqjen e tij nga ky post. Në lidhje me këtë temë, ka reaguar edhe vet Boletini. Në një shkrim të gjatë, ai ka dhënë shpjegimin e tij. Çka shkroi Boletini?

Boletini ka shkruar se termet e përdorura janë cituar pa u përpunuar. Pra, sipas Boletinit, termet e përdorura nuk kanë qenë konstatim i tij, por citime që prezantojnë një përceptim.

“Ajo që po citohet nuk është konstatim i imi por prezantim i një perceptimi. Pra, kam thënë se perceptimi negativ ka shkuar deri në atë masë sa që është krijuar edhe kjo përshtypje dhe njëjta më thuhet edhe mua në ambientet e punës. Pra kam folur për një perceptim që është krijuar se disa punonjës bëjnë vetëm hyrje-dalje, e jo për mënyrën se si veshën kur vijnë në punë. Kjo çështje është e rregulluar me rregullore të brendshme. E çfarëdo kahje tjetër e deklaratave të mia është një manipulim i qëllimshëm.” – shkroi Boletini.

Tutje, ai ka shkruar se është keqcituar qëllimshëm dhe është manipuluar konteksti nga disa individë.

“Për të qenë korrekt, ajo çka kam thënë në një moment në diskutim e sipër gjatë debatit interaktiv është se “unë marr informacione (d.m.th që të tjerët po më thonë) se punëtorët vijnë me pizhame, ‘miniqa’, vijnë bëjnë check out dhe kjo është e papranueshme”, pra kam cituar diçka që më është thënë, dhe e kam theksuar se është i papranueshëm si informacion dhe perceptim që po më thuhet në ambiente të punës, që disa punonjës pas aktiviteteve të ndryshme vijnë dhe e bëjnë vetëm daljen duke u evidentuar në punë. Sigurisht që nuk ka qenë mënyra më e mirë për ta përshkruar dukurinë e pretenduar, por gjatë debatit e kam bërë përshkrimin eksplicitë siç më është thënë, pa e përpunuar. Asnjëherë dhe në asnjë rrethanë për të përshkruar diçka tjetër, apo për të fyer dike. Sot përmes një sqarimi lidhur me vendimin dhe këtë çështje, u kam shprehur keqardhjen të gjithë punonjësve të RTK-së, nëse ndokush është ndjerë keq, duke marrë parasysh se është bërë edhe një keq-citim i qëllimshëm dhe manipulim i kontekstit nga disa individë. Pasi që nuk kam thënë që po vijnë në atë mënyrë në punë. Kam folur vetëm për evidentimin.” – shkroi ai tutje.