U kap me patentat e Tahirit, transferohet dosja e Orest Sotës. Prokuroria e Krimeve të Rënda pas dy vitesh bën lëvizjen

Prokuroria për Krime të Rënda ka shpallur moskompetencën për dosjen në ngarkim të Orest Sotës, biznesmenit që rreth dy vite më parë u arrestua në fshatin Balldren të Elbasanit me një sasi prej 863 mijë eurosh dhe dy patenta të ish-ministrit Saimir Tahiri.

Hetimet për të do të vazhdojnë në Prokurorinë e Elbasanit, pasi sipas Krimeve të Rënda veprat penale që dyshohet se ka konsumuar nuk janë në kompetencën e tyre. Dosja është dërguar në korrik në Elbasan dhe pritet që hetimet dhe gjykimi i çështjes të bëhet atje.

Dosja ndaj Sotës u hetua në një procedim me atë të ish-ministrit Saimir Tahiri, por me kalimin e këtij të fundit në gjyq, Prokuroria ndau sërish dosjen, të cilën tashmë e delegoi në Elbasan.

ARRESTIMI

Biznesmeni Orest Sota u arrestua në datën 2 nëntor të viti 2017 në rrugën nacionale, më konkretisht në fshatin Balldren, teksa i jepte makinës pa leje drejtimi.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga Policia në automjetin e tij tip “Land Rover”, u gjetën shuma prej 863 mijë eurove si edhe dy patenta të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike nga dosja “Habilaj”, e bërë publike nga autoritetet italiane.

Ngjarja në fjalë në fillim është fshehur për mediat nga Policia, ndërsa ka qenë kryetari i Partisë Demokratike, i cili, me anë të një postimi në “Facebook”, ka bërë publik rastin dhe ka denoncuar se Policia e ka fshehur ngjarjes.

Më pas, Policia njoftoi se: “Më datë 02.11.2017, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O.S., vjeç 25, banues në Tiranë, administrator i një subjekti privat sh.p.k, pasi më datë 01.11.2017, në rrugën nacionale, në fshatin Balldren, u kap duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin ‘Land Rover’ dhe nga kontrolli në mjet iu gjetën e bllokuan një sasi e madhe eurosh, të cilat ai pretendonte se do t’i përdorte për likuidimin e faturave, por të pashoqëruara me dokumentin e origjinës”.

AKUZAT

Prokuroria për Krime të Rënda kishte ngritur mbi Sotën katër akuza: “Pastrim i produkteve të veprës kriminale”; “Fshehje e të ardhurave”, “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”.

Sipas Prokurorisë, lëvizjet e Orest Sotës kanë qenë të dyshimta, pasi për të shkuar në Elbasan, ai ka ndjekur një itinerar të pazakontë, duke kaluar nga Peqini e Rrogozhina, edhe pse ishte nisur nga Tirana.

loading…