Gazetari

U dënuan për sulm të motivuar nga ideologjia ekstreme – si kishte ndodhur rasti i Valon Sylës në muajin prill

Tre të akuzuarit për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, janë shpallur sot fajtorë dhe janë dënuar me nga 2 vjet burgim secili nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Ndërkohë, kërkesa e Sylës për 30 mijë euro dëmshpërblim është refuzuar. Por, si kishte ndodhur rasti? Ku ishte sulmuar gazetari e çka kishte deklaruar ai para sulmit?

Sulmuesit e gazetarit Valon Syla sot e kanë marrë dënimin nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani, janë dënuar me nga 2 vjet burg për sulmin fizik ndaj Sylës, mbrëmjen e 11 prillit të këtij viti.

Në dënimin e shqiptuar me burgim, atyre do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak, prej datës 14 prill deri më datë 07 dhjetor 2023.

Syla kishte kërkuar edhe 30 mijë euro si kompensim, por kjo kërkesë është refuzuar nga Gjykata.

“Gjykata ka refuzuar kërkesën pasurore juridike të të dëmtuarit V.S, pasi që gjykata nga të dhënat e grumbulluara në procedurë penale ka vlerësuar se nuk ka prova të mjaftueshme për vendosje të plotë apo të pjesshme të kërkesës pasurore juridike, andaj i dëmtuari V.S nga arsyet e lartcekura për realizimin e kërkesës pasurore – juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil”, thuhet në njoftim.

Të akuzuarit obligohen edhe që secili veç e veç të paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurës, në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën prej 200 euro, ndërsa shumën prej 100 euro ta paguajnë për Fondin për Kompensimin të Viktimave të Krimit.

Vetë Syla ka reaguar pas vendimit të Gjykatës, ku ka thënë se ky vend ka drejtësi,

“Por sot e di që ky vend ka drejtësi, kur e mbron secili prej nesh të drejtën e vet, kur nuk e tregton dhe e ka durimin e forcën ta pres vendimin e drejtësisë të Republikës. Kosova pra ka shpresë, kur secili prej nesh e kryen detyren e vet dhe e ka pernime. Pra une e kryva temen, kolegët e mi gazetarë e kryen tê vetën, policia reagoi dhe i kapi në afat rekord sulmuesit fanatik, drejtësia poashtu në fund krejt këtë mund e shpërbleu me drejtësi të merituar”, ka shkruar Syla.

Si kishte ndodhur rasti dhe çka kishte deklaruar Syla para sulmit?

Syla ishte sulmuar mbrëmjen e 11 prillit, para kafiterisë “Image” në “Breg të Diellit”.  Një ditë pas sulmit, gazetari e kishte dhënë versionin e tij se si kishte ndodhur rasti dhe çka mund të ishte motivi.

Sipas Sylës, tre të akuzuarit e kishin përcjellë që nga dalja nga ndërtesa e T7, ku ai është panelist i rregullt në emisionin “Pressing” dhe se pastaj e kishin sulmuar në shkallët e kafiterisë. Ai kishte thënë se kur ishte takuar me të akuzuarit, fillimisht njëri prej tyre i kishte kërkuar të ndalet veç pak por me një stil të ashpër dhe i gatshëm për të sulmuar.

Personat që e kishin sulmuar, ai i kishte përshkruar në dukje si “islamik fanatik”.

Para sulmit, Syla kishte bërë disa reagime pasi një hoxhe në Prizren i ishte dhuruar një veturë “Mercedes”, në një ceremoni ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava.

Gazetari kishte kritikuar ashpër këtë gjest të hoxhollarëve, duke i quajtur “mulla mercedesa”.

Ai kishte thënë se hoxhollarët po sillen si “Mulla Mercedsa” në muajin e Ramazanit në vend se të reflektonin për modesti.

“Sot e shoh Kryemyftiun Naim Tërrnava që endet mbetet një marakli i kerreve… blen vetura për vajzën e tij superluksoze, për djemt e tij, madje ju hapë firma me shit kerre, dhe tash së fundmi shpalos ‘Mulla Mercedesa’ në muajt e shejtë të Ramazanit, që në vend të reflektohet me modesti, ata sillen si reperat Jay-Z, e protagonistat me terapi si ‘Vali Corleone’…” – kishte shkruar Syla ndër të tjera.

“Nje batutë për BIK. Muhamedi A.S. pe sheh Jezu Krishtin në Parajsë (Hazreti Isën)… vozitke Ferarri në Xhehnet Krishti… Muhameti A.S. lakmoj edhe e veti? Pse Isë unë në deve e ti në Ferarri. Isa ja kthej… Maria gruja e Zotit, ti jev pejgamber… grahi devës. A po nin o Mullla Limuzinë Tërrnava?”, kishte shkruar në një postim tjetër.

Në reagimin pas sulmit, Syla kishte thënë se këto postime janë me gjasë arsyeja pse u sulmua.

“Sulmi me çdo gjase ka të bëjë me reagimet e mia rreth ‘Mulla Mercedesit’ dhe ngjarjeve në BIK, qe duket se nuk ju ka pelqyer fare dhe keshtu ka nxitur ketë komunitet te militanteve islamik të organizojne sulm fizik të paramenduar. Nuk e di a i ka porositur ndokush, por kjo mjaftoi qe te pësoj lendime të rënda në kokë, dhe në dorën e majtë”, kishte shkruar gazetari.

Edhe në aktakuzën e Prokurorisë ndaj tre sulmuesve përmendet pikërisht postimi i Sylës si motiv për sulmin.

“Të akuzuarit L.D, K.H dhe O.H janë akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë sepse me datë 11.04.2023, rreth orës 23:00, në Prishtinë të motivuar me ideologji ekstreme radikale Islame përkatësisht të besimit fetarë, kishin lënduar lehtë të dëmtuarin V.S, për shkak të një publikimi në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” për profetin Muhamed dhe profetin Isa, paraprakisht e përcjellin të dëmtuarin nga TV T7” dhe që të tre e kishin sulmuar fizikisht me grushta në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Reagimet pas sulmit ndaj Sylës

I pari që kishte reaguar për sulmin ndaj gazetarit Syla, ishte kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili e kishte quajtur shkelje të rëndë e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të njeriut.

“Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla është një shkelje e rëndë e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të njeriut, dhe nuk mund të tolerohet kurrsesi në një shoqëri demokratike”, thuhej në shkrimin e Konjufcës.

Për rastin kishte reaguar edhe Kryeministri Kurti dhe ministra të tij, të cilët kishin kërkuar që sulmuesit të sillen para drejtësisë.

Kurti e kishte hapur mbledhjen e Qeverisë, duke thënë se sulmi ndaj Sylës është “i patolerueshëm dhe i papranueshëm”.

“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës”, kishte thënë Kurti.

Reagim kishte bërë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku kishte thënë se sulmet ndaj gazetarëve dhe ndërhyrja në pavarësinë dhe lirinë e tyre të shprehjes, shkelin parimet thelbësore demokratike.

@ballkani.info Pasi u denuan sulmuesit qe e rrahen, Valon Syla flet per zgjedhjet, per grupet islamiste si dhe akuzon Vjosa Osmanin qe nuk reagoi per sulmin ndaj tij #valonsyla #sulmi #kosova🇽🇰 #vjosaosmani #albinkurti #zgjedhjet #kosovatiktok #qeveria #islam ♬ original sound – Ballkani.info