U dënua me një vit burgim për aksidentin me fatalitet, kërkon të rigjykohet

I dënuari me një vit burg nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, Fisnik Berisha, po kërkon nga Gjykata e Apelit kthimin e çështjes në rigjykim.

Ai akuzohet se në vitin 2018, me veturë e kishte goditur për vdekje tani të ndjerin N.O.

Përmes mbrojtësit të tij, avokatit Shemsedin Pira, ai po pretendon se fajësinë e kishte pranuar nën ndikimin e barërave, dhe se ekspertizat e komunikacionit të nxjerra për këtë rast, janë në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Berisha gjatë seancës së kolegjit të gjykatësve të Apelit, deklaroi se mbrojtësja e tij gjatë gjykimit në shkallë të parë i kishte propozuar një dënim më të ulët, në rast të pranimit të fajësisë, por që sipas tij, kjo nuk kishte ndodhur.

“Unë nuk kam qenë në gjendje të mirë emocionale dhe shëndetësore. Avokatja më ka propozu diçka tjetër dhe unë e kam pranuar fajësinë vetëm për aq sa kam qenë fajtor”, deklaroi Berisha.

Por, i pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, ankesë brenda afatit ligjor kishte ushtruar mbrojtësi i tij, avokati Shemsedin Pira, mbi të gjitha bazat ankimore.

Ai gjatë seancës së të enjtes, deklaroi se ekspertizat e nxjerra për këtë rast janë diametrale me njëra-tjetrën dhe se kërkon nga gjykata kthimin e çështjes në rigjykim, në mënyrë që përmes një super-ekspertize të zbardhet çështja në tërësi.

Kjo pasi që sipas avokatit, lëshimet primare i kishte bërë vozitësi i autobusit, ndërsa ato sekondare i mbrojturi i tij.

Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, më 30 maj 2019, të akuzuarin Fisnik Berisha e kishte shpallur fajtor për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, duke e dënuar me burgim në kohëzgjatje prej një viti.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, e akuzonte atë se më 12 tetor 2018, në rrugën Klinë – Gurakoc, pikërisht në nga pakujdesia ka shkel Ligjin mbi Trafikun Publik dhe shkakton vdekjen e N.O.

Në aktakuzë thuhet se gjatë kohës kur kishte qenë duke drejtuar automjetin, nga drejtimi i kundërt ka qenë një autobus, i cili ishte ndalur në rrugë në vijë të plotë, dhe derisa autobusi ka filluar të lëvizë nga mbrapa, këmbësori tani i ndjeri ka filluar të ecë në rrugë dhe nxiton ta kalojë rrugën, por duke mos qenë në gjendje të perceptojë shpejtësinë e lëvizjes së automjetit, goditet nga automjeti i drejtuar nga tani i akuzuari.

Me këto veprime, Berisha akuzohet se ka kryer veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

loading…