U dënua me 6 muaj burg për vetëm 700 gramë marihuanë – Kërkon zbutje të dënimit

I dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv pasi që ishte kapur me 0.70 gramë substancë narkotike të llojit mariuhanë, Mërgim Luzha, përmes avokates së tij, Labinota Qosa-Ilazi po kërkon zbutjen e dënimit nga Gjykata e Apelit.

Gjykata Themelore në Ferizaj, më 21 shtator të vitit të kaluar, Luzhën e kishte shpallur fajtor pasi që i njëjti paraprakisht e kishte pranuar fajësinë për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Përveç dënimit prej gjashtë muaj burgim efektiv, gjykata të akuzuarit Luzha i kishte shqiptuar edhe dënim me të holla në lartësi prej 200 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, të pakënaqur me lartësine e dënimit të shqiptuar, mbrojtësja e Luzhës, avokatja Labinota Qosa-Ilazi ka ushtruar ankesë në gjykatën e shkallës se dytë, për shkak të vendimit mbi dënim.
Kjo ankesë e mbrojtjes si dhe deklarimi i Prokurorisë së Apelit lidhur me të, u shqyrtuan të enjten nga një kolegj i Gjykatës së Apelit.

Sipas ankësës së mbrojtjes, e cila u referua nga ana e gjykatësit raportues për këtë rast, Driton Muharremi, dënimi i shqiptuar nga ana e shkallës së parë është i lartë duke marr parasysh se i akuzuari në vazhdimësi është treguar kooperativ me organet e rendit, ka pranuar fajësinë, është penduar për veprën e kryer, rrjedh nga një familje e arsimuar dhe se kjo është hera e parë që i njëjti bie ndesh me ligjin.

Po ashtu, sipas ankesës, dënimi i shqiptuar ndaj Luzhës është i lartë pasi që sipas praktikës së gjykatave në Kosovë, në raste të ngjashme zakonisht shqiptohen dënime me kusht.

Duke u mbështetur në të gjitha këto rrethana, avokatja Qosa-Ilazi, i ka propozuar Apelit që ndaj të mbrojturit të saj të shqiptohet vërejtje gjyqësore apo dënim me kusht.

“Duke u mbështetur në të gjitha këto rrethana që u cekën, duke pas parasysh se i njëjti nuk ka qenë i dënuar më parë dhe se substancën e ka pasur për përdorim personal, lusim kolegjin që ankesën ta aprovojë”, tha në fjalën e saj, avokatja Qosa.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit përmes një parashtrese drejtuar gjykatës së shkallës se dytë, i ka propozuar kësaj të fundit që të refuzojë ankesën e mbrojtjes kurse aktgjykimin e shkallës së parë ta vërtetojë.

Ndryshe, Mërgim Luzha akuzohej nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, se më 30 nëntor 2018, në ora 15:00, në shkollën e mesme “Feriz Guri dhe Vëllëzërit Çaka” në Kaçanik, gjatë planit operativ të Policisë së Kosovës “Stop drogës në shkolla”, patrulla e stacionit policor në Kaçanik ka ndaluar Mërgim Luzhën dhe ia ka gjetur një gjysëm cigare me substancë narkotike të llojit mariuhanë, me peshë prej 0.32 gram dhe një qese me substancë narkotike mariuhanë me peshë prej 0.38 gram.

Më çka, sipas prokurorisë, Luzha kishte kryer veprën penale, “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”