U dënua me 17 vjet burgim për vrasje, dështon seanca ndaj të akuzuarit

Mos sjellja në gjykatë e të akuzuarit për shtytje në vrasje të rëndë, Arlind Ahmeti, ka bërë që të dështojë seanca në Gjykatën e Apelit, ku do të shqyrtoheshin ankesat e palëve të ushtruara kundër aktgjykimit të shkallës së parë.

E për mos sjelljen e tij në gjykatë, zyrtarët e njësitit të transportit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, njoftuan kolegjin e Apelit, të kryesuar nga gjykatësi Abdullah Ahmeti, se nuk kanë pasur urdhëresë për sjelljen e të akuzuarit për seancën e së mërkurës.

Po ashtu, edhe gjykatësi raportues për këtë rast, Driton Muharremi, tha se gjykata nuk ka prova se i akuzuari është ftuar me rregull për seancë.

Ndryshe, i pranishëm në seancë ishte mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Asdren Hoxha.

Për shkak të mungesës së të akuzuarit, seanca e së mërkurës është shtyrë për 10 tetor 2019, nga ora 10:00.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2019, e kishte shpallur fajtor Arlind Ahmetin, i akuzuar se në bashkëkryerje me Agron Vllasaliun, më 24 nëntor 2017, para kafenesë “Francisko” në rrugën “Fehmi Agani”, në Prishtinë, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Behar Sahiti.

Për këtë vepër, ndaj tij ishte shqiptuar dënim unik prej 17 vjetësh burgim.

Kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli, në shpalljen e aktgjykimit, kishte njoftuar palët se gjykata ka ndryshuar kualifikimin juridik të veprës penale për të akuzuarin Ahmeti, nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë.

Sipas trupit gjykues, gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar gjendja faktike se Ahmeti së bashku me Vllasaliun, kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, pasi gjykata nuk ka vërtetuar me asnjë provë se Vllasaliu ka pasur më herët konflikt me tani të ndjerin, por pasojat e shkaktuara janë ndërmarrë duke qenë i shtyrë nga Ahmeti.

Për shtytje në vrasje të rëndë, Arlind Ahmeti, është dënuar me 16 vjet burgim, kurse me një vit e gjashtë muaj burgim është dënuar për armëmbajtje pa leje.Më pas, ndaj tij është shqiptuar dënim unik prej 17 vjetësh burgim, në të cilin do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 25 nëntori 2017, e tutje.

Ndryshe, sipas aktakuzës, më 24 nëntor 2017, para kafenesë “Francisko” që gjendet në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bazë të marrëveshjes paraprake me të akuzuarin tjetër, Agron Vllasaliu, i cili gjendet në arrati, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Behar Sahiti dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.

Prokuroria pretendon se pas fjalosjes së të akuzuarit Arlind Ahmeti, me vëllezërit Nehar e Behar Sahiti, derisa Agron Vllasaliu ishte në veturë, e ka hapur dritaren e automjetit dhe ka shtënë dy herë me revole, duke e goditë tani të ndjerin Behar Sahiti dhe të dëmtuarit e tjerë në aktakuzë, me ç‘rast nga plagët e marra, i ndjeri ka ndërruar jetë në QKUK.Me këtë, para se të rikualifikohej vepra penale, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bashkëkryerje me të akuzuarin Agron Vllasaliu, akuzohej se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Arlind Ahmeti, pa autorizim ka poseduar dy revole, që kanë qenë pronë e tij, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar në motelin “Vila Kuinc”, ku siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit kishin kaluar natën pas kryerjes së veprës penale.

Me këtë, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndryshe, i pandehuri tjetër Agron Vllasaliu është arratisur dhe është i paarritshëm për organet e drejtësisë./BetimipërDrejtësi

loading…