U burgosën pas dëshmisë së Dumanit, 3 nga të arrestuarit kërkojnë zbutje të masës së sigurisë

Tre nga të arrestuarit në sajë të operacionit “Plumbi i artë” i janë drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë, për masë më të butë sigurie. Fatos Gosa, Petrit Qoli dhe Agron Qoli, i kanë depozituar rekursin, dhe çështja do relatohet nga anëtari i kësaj gjykate Sokol Binaj.

Këta persona u arrestuan në sajë të operacionit “Plumbi i artë”, ku pas dëshmisë së dëshmitarit te drejtësisë Nuredin Dumani u zbardhën disa vrasje dhe u lëshuan plot 32 urdhër arreste.

Referuar dëshmisë së dëshmitarit të drejtësisë Gosa ka dhënë informacione mbi lëvizjet e Andi Zylyfit i ekzekutuar në Peqin, ngjarje e ndodhur në fund të vitit 2019.

Ndërsa Petrit dhe Agron Qoli, sipas Dumanit, kanë marrë pjesë dhe dhe kanë dhënë informacione mbi lëvizjet e Fatmira Dedës , vrasje e porositur nga Festim Qoli.

60-vjeçarja u ekzekutua në mënyrë tragjike, në garazhin e pallatit ku banonte. Sipas Dumanit, vrasja u krye nga Talo Çela, ndërsa u porosit nga Festim Qoli, pasi ajo interesohej në prokurori për vrasjen e djalit të saj Ervis Deda, ngjarje e ndodhur në vitin 2012.

Sipas Dumanit djali i saj ishte kryer nga Henrik Hoxhaj me porosi të Festim Qolit, për shkak të një borxhi.

Në ekzekutimin e 34-vjeçarit, në atë kohë Festim Qoli, i cili është në kërkim, kishte pasur rolin e shoferit. Ndërsa vrasjen e nënës së tij, e porositi pasi ajo po i hapte probleme me drejtësinë.