U arrestuan dje në operacionin “Stuhia”, prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarit

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj katër personave të pandehur me inicialet A.L., nga komuna Ferizaj, H.Z.,- komuna Viti, M.K.,- komuna Ferizaj dhe E.I.,- komuna Prishtinë, të cilët gjenden në ndalim nga data 25 Mars 2021, për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364 paragrafi 2 lidhur me nenin 1 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-ës.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit A.L. H.Z. dhe M.K., nga data 17 Tetor 2020 e deri më 25.03.2021, në Ferizaj dhe në disa qytete të Kosovës, në bashkëveprim kanë importuar armë-pistoleta, pushkë automatike, armë ushtarake zollë, pushkë gjuetie si dhe municion dhe paisje tjera për armë nga Republika e Maqedonisë, të cilat i kanë shitur nëpër vende të ndryshme të Kosovës, me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”

Ndërsa, për të pandehurit A.L., H.Z., M.K dhe E.I., ekziston dyshimi i bazuar se kanë poseduar pa autorizim armë në kundërshtim me ligjin mbi armët, me ç’rast kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga nen 366 paragrafi 2 të KPRK-ës.