Votimi i marrëveshjes së “Prespës” në parlamentin maqedonas, që i hapi rrugën riemërimit të fqinjit tonë, ka ndezur gjakrat në Greqi, aty ku siç ishte paralajmëruar rreth orës 14:00 ka nisur një protestë masive kundër marrëveshjes Tsipras-Zaev për emrin “Maqedonia e Veriut”.
Rreth 100 mijë grekë kanë mbushur sheshin “Sintagma”, duke bërë thirrje për rrëzimin e marëveshjes.
Në protestën që është duke u zhvilluar jashtë parlamentit grek ka pasur përplasje të ashpra me policinë, pasi qindra qytetarë tentuan të ngjiteshin në shkallët e godinës, në një tentativë të dështuar për të hyrë brenda saj. Policia përdori gaz lotsjellës për të zbrapsur protestuesit e dhunshëm.
Protestuesit kanë hedhur gjithashtu bojëra me ngjyra të ndryshme në drejtim të policisë.
Ndërkohë qindra flamuj gjigandë janë shpalosur në shesh, përveç atyre me përmasa të vogla që mbahen në duar nga thuajse të gjithë protestuesit.
Përballë parlamentit grek është vendosur edhe një banderolë gjigande, ku shkruhet “Maqedonia është Greqi”.
Organizatorët kishin pohuar se në shesh do të dilnin rreth 600 mijë grekë dhe se 3,000 autobusë do të udhëtonin nga Greqia veriore drejt Athinës. Ndërkohë, 60 autobusë të tjerë kanë ardhur nga pjesa e Peloponezit.







