Ty ta falim jetën e na duket pak…

Njëzet vjet pas përfundimit të luftës, që dikush po përpiqet ta mohojë dhe ta harrojë, shteti ynë ende nuk ka arritur t’ua rregullojë varrezat, pa i përmendur të zhdukurit, që nuk kanë as shenjë as varr! Pas vendimit të Kryeministrit Haradinaj, të datës 8 maj 2018, i cili emëroi Komisionin përkatës, në krye me ministrin e FSK-së, Rrustem Berisha, për zhvarrimet dhe rivarrimet e dëshmorëve, që nga 19 qershori i këtij viti deri më 31 korrik ditë për ditë Ushtria e Kosovës bëri zhvarrime e rivarrime dëshmorësh të UÇK-së të Zonës Operative të Drenicës. Të gjithë këta dëshmorë të kombit, u rivarrosën me nderime të larta ushtarake të Gardës Ceremoniale të Ushtrisë së Kosovës.

Siç u bë e ditur, vetëm nga varrezat e Polacit u zhvarrosën 112 dëshmorë, prej tyre 101 u rivarrosën në Kompleksin Memorial në Marinë, e të tjerët në Vushtrri dy, në Landovicë dy, në Kleçkë një, në Shtime pesë dhe në Ferizaj një. Edhe 53 dëshmorë të tjerë u zhvarrosën nga komunat e Drenasit e Skenderajt dhe u rivarrosën në Marinë. Ndërkaq sot, në ditën kur po përurohet Kompleksi Memorial në Marinë, po rivarrosen heronjtë Mujë Krasniqi-Kapuçi, Ilaz Kodra dhe Abedin Rexha. Të gjithë këta dëshmorë për dy dekada pas përfundimit të luftës ishin në varre jo të denja për ta, të parregulluara, pa emra mbi varre, apo me varre të rrafshuara ashtu siç ishin varrosur në rrethana të luftës apo të pasluftës.

E mbani mend se si gjatë gjithë kësaj kohe, më shumë se një pjesë e njerëzve që me vetëdije a pa të, në formë histerie janë vënë në garë për ta njollosur e përdhosur çdo vlerë të luftës për liri dhe të sakrificave të paçmueshme të këtij populli të shumëvuajtur, duke i mohuar sakrificat e tyre, qielli i gjithëpushtetshëm shfaqi shumë më shumë dhembje e krenari për dëshmorët e atdheut! Për dy muaj me radhë, ndonëse stina e verës, ditë për ditë herë binte shi, herë shndrisnin rrezet e diellit, duke u bashkuar me dhimbjen dhe krenarinë e familjarëve, bashkëluftëtarëve dhe atdhetarëve të vetëdijshëm për sakrificat e jashtëzakonshme!

E mbani mend se si gjatë të njëjtës periudhë, na u rishfaqën në medie fondet e luftës, përdorimi apo keqpërdorimi i tyre. Nuk bëhet fjalë për shuma të vogla, por për shuma marramendëse që nga dy e katër milionë marka gjermane, deri në 250 milionë, 400 milionë apo deri në mbi 900 milionë marka, duke hedhur dyshime se përveç tjerash, një pjesë e tyre kanë përfunduar edhe në anë të tjera ku nuk është dashur! Për këto flitej e shkruhej me aq lehtësi, sikur të mos bëhej fjalë për miliona, por sikur për para xhepi, pa dhënë askush llogari as përgjegjësi për to deri më sot. Sa djemtë na u vranë në pritat e ushtrisë jugosllave-serbe, duke i kaluar kufijtë ndërshqiptarë për të siguruar armatim! Sa djemtë mbetën me nga tri javë të flenë në shi e në të ftohtë, ku për shtrojë kishin tokën e për mbulojë qiellin, duke pritur armatim në veriun e Shqipërisë, e sa shumë prej tyre u detyruan të kthehen duarthatë, duke kaluar nëpër rreziqe të shumëfishta… Sikur këto mjete që përmenden e që ishin të dedikuara për luftën, të ishin përdorur si duhet, e të shkonin në destinacionin e caktuar, sigurisht se do të kishim më pak humbje në njerëz e luftën do ta kishim më të lehtë!

E mbani mend se si një fushatë e tërë gjatë kësaj kohe u zhvillua dhe po vazhdon të zhvillohet kundër veteranëve të luftës, se si e paskan keqpërdorur dhe dëmtuar rëndë buxhetin e shtetit, me nga 170 euro! Kjo shumë nuk do duhej të ishte pension i luftëtarit! Ky nuk është pension, është mëshirë! Shihni se si i trajtojnë shtetet e popujt e tjerë veteranët e luftës. Aq shumë ekzagjerime, përgjithësime, poshtërime e padrejtësi ndaj tyre tash e njëzet vjet. Të diskriminuar në punësim, shumë prej tyre të sëmurë, të varfër, pa kulm mbi kokë… Në emër të “rrejshmërisë”, Prokuroria Speciale e Kosovës, mbi 20 mijë vetëve ua publikoi kundërligjshëm të dhënat personale në medie (shumë prej tyre luftëtarë të shquar të UÇK-së), duke e shkelur rëndë ligjin dhe duke e rrezikuar sigurinë e tyre dhe të të tjerëve, gjë që nuk ka guxuar të ndodhë qofshin të rrejshëm apo të pa rrejshëm! Pse ndodhi kjo?!

Qysh kur vendimet e Prokurorisë janë të plotfuqishme pa vendim gjykate?! Mbase edhe për të arsyetuar faktin se shumë nga dosjet e veteranëve të luftës, invalidëve dhe kategorive të tjera të lirisë, mund të kenë përfunduar të duart e Serbisë, të cilat po i përdorë për nevoja të saj. Ç’është gjithë kjo fushatë denigruese e ky ekzagjerim i çështjes së veteranëve?! Nëse u dashka të gjykohen, pse po u bëhet gjyqi në medie e jo në gjykatë?! Pse edhe pas njëzet vjetësh po tentohet të kryqëzohet UÇK-ja?! Nëse Prokuroria jonë nuk ka ditur si të veprojë me rastin e veteranëve, ka mundur ta marrë për bazë shembullin e Kroacisë. Me të gjitha çështjet që po përballemi ne, Kroacia është përballur para nesh. Në Kroaci, që nga viti 1995, ende ka raste të vërtetimit të rasteve të veteranëve apo invalidëve të rrejshëm, të cilët pas njëzet vjetësh, me vendim gjykate, janë detyruar t’ia kthejnë shtetit mjetet materiale të përvetësuara e të shfrytëzuara pa meritë.
Shpresojmë se ata që e përfaqësojnë shtetin, në të gjitha segmentet, në këtë rast në organet e drejtësisë, të jenë të vetëdijshëm, të dinë ku janë, nuk janë në vitet 1981-1989 kur i dënuan e ndëshkuan padrejtësisht dhjetëra mijëra studentë për pjesëmarrje në demonstrata, nuk janë duke punuar në masat e dhunshme në administratën pushtuese serbe nën drejtimin e kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, por në shtetin e lirë e demokratik të Kosovës!

Keni vënë re se si në njërën anë zhvillohet fushatë për t’i akuzuar kategoritë e lirisë se po e “hanë” buxhetin e shtetit të Kosovës?! Kjo është bërë temë dite, temë jave, temë muaji, temë viti… Por, në anën tjetër, shumë veteranë e invalidë të luftës, si dhe familje të dëshmorëve po i mbushin ekranet televizive si kategoria sociale e njerëzve më të varfër të vendit. Keni parë se si vetëm pas njëzet vjetësh, falë njerëzve të vullnetit të mirë, u bënë me shtëpi dy fëmijët jetimë të familjes Nebihu nga Qirezi, Valoni e Valentina, të cilëve forcat serbe ua vranë para syve të dy prindërit, dhe familjarët e tjerë më 28 shkurt 1998, në shtëpinë e tyre. Nëna e tyre, Rukija, ishte shtatzënë në muajin e shtatë! Keni parë gëzimin e veteranit të luftës në Vushtrri, i cili gëzimin më të madh në jetë, para kamerave, tha se e kishte pasi arriti të hapte një bunar për ujë në oborr! Edhe kjo falë njerëzve të vullnetit të mirë…

Sot në këtë ditë tetori, sikur të ishte ditë pranvere, u përurua Kompleksi Memorial në Marinë të Skenderajt dhe me nderime të larta u rivarrosën edhe kolosët e UÇK-së, Mujë Krasniqi, Iljaz Kodra e Abedin Rexha, përkrah 158 dëshmorëve-heronj të UÇK-së! Ata që luftonin e këndonin. Ata që besonin në forcën e fitores së lirisë edhe në ditën më të vështira! Ata që i këndonin Kosovës së larë me gjakun e bijve e bijave më të mira të këtij vendi, “Ty ta falim jetën e na duket pak!”, u kthyen edhe vet në këngë. Është fat i madh të japësh jetën për Liri!

Për veten time, jam shumë e nderuar dhe krenare që isha pjesë e luftës për liri, e njerëzve të terrenit, që mbi gjithçka e kishim lirinë! Ashtu janë dhe duhet të jetë të gjithë bashkëluftëtarët e mi, pavarësisht sfidave të kohës! Jo gjithkush e ka fatin të jetë pjesë e bërjes së Lirisë!
Mirënjohje dhe respekt kryeministrit Haradinaj, kryetarit të Skenderajt Bekim Jashari, Ushtrisë së Kosovës dhe të gjithë të tjerëve që e përmbushën këtë obligim njerëzor e shtetëror, duke bënë të mundur pas njëzet vjetësh prehjen e përjetshme të këtyre dëshmorëve në tokën e shenjtë të Kosovës!