Tusk: BE-ja duhet të çelë negociatat me Shqipërinë

Presidenti në largim i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka mbërritur këtë të martë në Tiranë.

Pas takimit që zhvilloi me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, zyrtari i lartë evropian tha se kishte qenë gjithnjë i mendimit që BE-ja duhet të çelë negociatat si me Shqipërinë ashtu edhe me Maqedoninë e Veriut.

“Sot një vit më pas mund të them që në sajë të përpjekjeve tuaja ne i jemi afruar këtij objektivi dhe për këtë askush nuk duhet të ketë dyshimin më të vogël. Kam gjithnjë qenë i mendimit që BE duhet të çelë negociatat si me Shqipërinë ashtu edhe me Maqedoninë e Veriut. Vendi juaj duhet të trajtohet me të njëjtin respekt dhe sipas meritave të tjera ashtu si janë trajtuar dhe vendet e tjera. Në takimin e sotëm diskutuam edhe rëndësinë që ka për Shqipërinë ruajtja e historikut solid në lidhje me luftën kundër korrupsionit. Madje do të shtoja edhe dy elementë të tjerë. Marrëdhënia e fqinjësisë së mirë dhe pajtimi është në ADN-në tonë”, citohet të ketë thënë ai, raporton KlanTv.

Vizita disa orëshe e Tuskut në Tiranë vjen një muaj para vendimit të Këshillit Evropian për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Vendimi për hapjen e negociatave merret nga krerët e 28 vendeve anëtare që mblidhen më 18 tetor.

loading…