Turqia thotë se ka informacione konkrete për zhdukjen e gazetarit saudit

Autoritetet turke kanë informata konkrete në lidhje me zhdukjen e gazetarit të njohur saudit Jamal Khashoggi, i cili është zhdukur tash e gjashtë ditë, ka thënë të dielën një zyrtar i lartë i partisë udhëheqëse në Turqi, AK, raporton Reuters.

Yasin Aktay i ka thënë transmetuesit “CNN Turk” se Khashoggi nuk ka dalë asnjëherë nga konsullata saudite në Stamboll, ku kishte hyrë të martën për të nxjerrë disa dokumente për martesën e tij, “në mënyrë normale”. Rasti nuk do të mbetet i pazgjidhur, ka thënë Aktay, transmeton Koha.net.

Të shtunën mbrëma, burime turke i thanë Reutersit se autoritetet turke besonin se Khashoggi është vrarë brenda konsullatës javën e kaluar, ndërsa këtë e kanë cilësuar si vrasje me paramendim të kritikut të njohur ndaj sundimit të mbretërisë në Arabinë Saudite.