Turqia shpall gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj pas tërmeteve

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj.

Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në dhjetë qytetet e prekura nga tërmetet: Gaziantep, Kahramanmarash, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanlëurfa, Adana, Dijarbakër dhe Kilis.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme vjen në kohën kur në Turqi dhe Siri po vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar personat që besohet se kanë mbetur nën rrënojat e mijëra ndërtesave të shkatërruara nga tërmetet e fuqishme që goditën këto dy shtete.

Mbi 5.000 persona raportohet se kanë vdekur, pasi një tërmet prej 7.8 ballësh goditi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit. Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.

Autoritetet turke thanë se numri i viktimave nga tërmetet është rritur në 3.549. Orhan Tatar, zyrtar në Autoritetin për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave tha se 20.426 persona të tjerë janë plagosur dhe 5.775 ndërtesa kanë kolapsuar.

Në Siri, në zonat e kontrolluara nga Qeveria, janë raportuar 812 persona të vdekur, tha agjencia shtetërore e lajmeve SANA.

Kjo agjenci tha se 1.449 persona janë plagosur në provincat Alepo, Lakatia, Hama, Idlib dhe Tartus.