Turqia: Nuk do t’i njohim rezultatet e referendumeve ruse në Ukrainë

Turqia ka konfirmuar se nuk do të njohë rezultatet e referendumeve, që po zhvillon Rusia në katër rajone të Ukrainës, për t’i përfshirë këto territore si pjesë të saj, shkruan SkyNews.

Votat për aneksim po zhvillohen aktualisht në katër rajone të Ukrainës: Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia.

Megjithatë, shumë udhëheqës perëndimorë kanë deklaruar tashmë se çdo referendum i rremë në Ukrainë do të konsiderohej i paligjshëm.

Ibrahim Kalin, zëdhënësi i presidentit të Turqisë, shpjegoi se vendi njeh “integritetin territorial të popullit dhe shtetit ukrainas”.

“Ne nuk i gjejmë të sakta përpjekjet e njëanshme për referendum, ne nuk e njohim referendumin e Krimesë dhe rezultatin e mbajtur në vitin 2014 më parë dhe pozicioni ynë në referendume të tilla është i qartë”, tha ai.

Duke theksuar se do të qëndrojnë pranë Ukrainës, zëdhënësi i Erdogan theksoi se Turqia është “i vetmi vend” që bën “përpjekje të sinqerta dhe përpiqet t’i japë fund luftës”.