Turqia i kërkon Shqipërisë ekstradimin e Faruk Fatih Ozer, të akuzuar për mashtrime me kriptovaluta

Policia turke ka arrestuar 62 persona, si pjesë të hetimeve në lidhje me shkëmbimin e kriptovalutave, ndërkaq i ka kërkuar Shqipërisë ekstradimin e të dyshuarit kryesor për rastin.

Pronari i platformës turke të kriptovalutave “Thodexit”, Faruk Fatih Ozer, ka mohuar akuzat për mashtrim të investuesve në kriptovaluta të ndryshme.

Ministria e Drejtësisë ka kërkuar që Ozeri të ekstradohet nga Shqipëria. Sipas mediave turke, ai ka ikur nga shteti drejt Shqipërisë, një javë më parë.

Përgjegjësit kryesorë për mashtrime besohet se pas ikjes nga Turqia, janë strehuar në Tajlandë.

Prokuroria turke ka kërkuar arrestimin edhe të 16 personave tjerë që janë përfshirë në mashtrime nëpërmjet platformës “Thodex”, ndërkaq arrestimet janë bërë në tetë krahina të Turqisë.

Të enjten, zyra e kryeprokurorit në Stamboll ka bërë të ditur se ka nisur hetimet rreth “Thodexit”, shkaku i ankesave të përdoruesve se nuk kishin qasje në mjetet e tyre. Mendohet se janë mashtruar së paku 391 mijë investitorë, ndërkaq vlera e investimeve në këtë platformë kap shifrën e 2 miliardë dollarëve.

Banka Qendrore e Turqisë ka ndaluar përdorimin e kriptomonedhave për pagesa të mallrave, duke argumentuar se përbëjnë rrezik të pakthyeshëm.

Vendimi ishte marrë, pasi që shumë turq kanë kthyer vëmendjen kah kriptomonedhat për t’i mbrojtur kursimet nga inflacioni në rritje dhe rënia e vlerës së lirës turke.