Turqia bllokon avionët-ambulancë për pacientët me COVID-19 që kërkojnë shërim në spitalet turke

Turqia i ka bllokuar të gjithë avionët-ambulancë për pacientët me COVID-19 nga vendet e tjera, të cilët kërkojnë të kurohen në spitalet turke. Lajmi u bë i ditur nga mediat turke pas deklaratës së Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil të këtij vendi. Ndërkohë që Shqipëria, bashkë me Gjeorgjinë, Rusinë dhe Irakun, janë katër vendet që dërgonin më shumë pacientë të sëmurë me COVID-19 në Turqi.

Në Shqipëri aktualisht janë 32.196 persona pozitivë me COVID-19, ndër ta 16.042 aktivë. Fatmirësisht kanë arritur të fitojnë betejën 15.469 pacientë të prekur me COVID-19 dhe nuk kanë mundur të mbijetojnë 685 të infektuar. Shifrat zyrtare nuk përfshijnë qindra raste të tjera që shmangin testimin me tampon për metoda alternative si skaneri apo grafitë.

Edhe Turqia po regjistron shifra të larta të infektimeve me COVID dhe vendimi për bllokim të fluturimeve të avionëve-ambulancë, sipas autoriteteve shëndetësore turke , bëhet për arsye se vendet në spitale do të ruhen për shtetasit turq. Mediat turke kanë raportuar se Ministria e Shëndetësisë në Turqi ka ndaluar futjen në spitale me avionë spitalorë të të sëmurëve deri në një vendim të dytë. Nëse urdhri nuk do të respektohet, atëherë qeveria ka vendosur sanksione për bizneset dhe spitalet që e thyejnë vendimin. Urdhri u është shpërndarë të gjitha kompanive ajrore dhe Autoritetit të Aviacionit Civil Turk.

Qindra shtetas shqiptarë nga Shqipëria, duke mos gjetur shërbimin e kërkuar në spitalet publike në vendin e tyre, kanë bërë zgjidhje individuale dhe të vështirë që prej fillimit të pandemisë për t’u kuruar nga COVID-19 në spitalet turke. Mungesa e sigurimeve shëndetësore për shqiptarët, të cilët paguajnë siguracione shëndetësore në shtet, por nuk marrin shërbimin, si dhe mungesa e sigurimeve private shëndetësore, ua pamundësojnë atyre të përballojnë mjekimin jashtë vendit pa u futur në borxhe, ndërkohë që një pacient që ka sigurime shëndetësore nga një vend i Evropës nuk paguan asnjë qindarkë nga xhepi.

Nga të dhënat e mbledhura nga dy kompani që ofronin shërbimin e avionit-ambulancë në Shqipëri, nga fillimi i pandemisë së COVID-19, nga aeroporti i Rinasit në Shqipëri kanë fluturuar 565 avionë-ambulancë drejt Turqisë dhe më pak drejt Italisë, duke u kushtuar pacientëve shqiptarë mbi 6.7 milionë euro për udhëtime dhe 12 milionë euro të tjera për kurimin në spitalet private.

Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) ka bërë të ditur se deri më 18 nëntor kishte pasur 565 “fluturime për qëllime mjekësore” nga Rinasi, shumica dërrmuese e të cilave në muajt tetor dhe nëntor. Të dhënat e AAC tregojnë se numri i fluturimeve u rrit nga 5 në muajin maj, kur epidemia COVID-19 ishte ende nën kontroll, në 152 fluturime gjatë muajit tetor. Muaji nëntor shënoi një rekord të ri me 206 fluturime për qëllime mjekësore deri me datë 18 të këtij muaji. Sipas Aviacionit Civil, mbi 87 për qind e fluturimeve për qëllime mjekësore kishin si destinacion Turqinë. AAC shpjegoi se 496 nga 565 fluturimet ishin për në Turqi, pjesa më e madhe e të cilave në Stamboll. Vetëm 20 prej këtyre fluturimeve kishin si destinacion Ankaranë. Ndërkohë, drejt Italisë ishin bërë 37 fluturime kryesisht në Romë dhe pjesa tjetër në numra më të vegjël ndahej mes Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës. Nga të dhënat e mbledhura nga dy kompani që ofronin shërbimin e avionit-ambulancë, pacientët shqiptarë kanë shpenzuar rreth 6.7 milionë euro vetëm për fluturimet jashtë shtetit.

Shpenzimet minimale për ditët e qëndrimit të tyre në spitalet e Turqisë llogariten të kenë kushtuar edhe rreth 12 milionë euro të tjera. Çmimi mesatar për një fluturim me avion mjekësor kushton 12 mijë euro, ndërsa një natë qëndrimi në spitalet e Turqisë kushton mesatarisht 1200 euro. Pacientët me COVID-19 shpenzojnë minimalisht 15-20 ditë qëndrimi në spital. Kompanitë që kryejnë transportin jashtë Shqipërisë të pacientëve flasin për një fluks në rritje të kërkesave.

Arjana Sina, drejtuese mjekësore e International Turkish Hospital, e quajti gjendjen “të jashtëzakonshme”. International Turkish Hospital në ueb-sajtin e vet ka publikuar se ofron shërbime për transport dhe trajtim të pacientëve me COVID-19 në Turqi. “International Turkish Hospital” ofron shërbim për të gjithë pacientët me COVID-19 që u nevojitet trajtim i specializuar në Turqi. Pacientit i ofrohet dhe udhëtim me avion mjekësor, i shoqëruar nga një ekip mjekësor i specializuar dhe transport me autoambulancë speciale drejt spitalit “Istinye University Medical Park” në Turqi”, thuhet në njoftimin e “International Turkish Hospital”.

Drejtuesja mjekësore shpjegoi gjithashtu se “International Turkish Hospital” në Tiranë po dërgonte pacientë në “Istinye University Medical Park” në Stamboll dhe se fluksi i udhëtimeve ishte rritur prej fillimit të tetorit dhe po ashtu edhe numri i kërkesave. Mjekja Arjana Sina, me specialitet imazheriste, tha se ata nuk i pranonin të gjitha rastet, duke vënë në dukje se shanset e mbijetesës së personave të intubuar për shkak të COVID-19 ishin të njëjta si në Shqipëri, edhe në Turqi.

“Në rastet e intubuara, shanset janë njësoj si atje, si këtu. Duhet thënë kjo, pasi unë nuk dua që njerëzit të futen në borxhe apo të shesin shtëpinë dhe të vihen në siklet, se bëhet fjalë për jetën e njeriut,” tha Sina.

Edhe Margarit Dado, drejtues ekzekutiv i Albanian Intercare Services – një kompani e specializuar në transportin e urgjencave mjekësore që vepron edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut – tha se situata në Shqipëri ishte më e rëndë sa u përket abuzimeve me fluturimet drejt Turqisë dhe hyrjes në lojë të sekserëve. Dado thotë se pas shpërthimit të infektimeve nga COVID-19, numri i kërkesave për fluturime drejt Turqisë me avionë sanitarë ishte rritur. Ai sqaron se transporti kishte një sërë specifikash dhe, pavarësisht kërkesave, mjaft raste refuzoheshin. Numri i lartë i kërkesave për kurime jashtë shtetit ka krijuar një treg pjellor edhe për spekulime. Sipas Dados, në lojë janë përfshirë edhe kompani të paspecializuara, që, sipas tij, rrezikojnë pacientët. “Ka kompani që organizojnë udhëtime turistike dhe tani po marrin prenotime për avionë mjekësorë. Ka kompani funerale që po marrin prenotime, që është thelbësisht kontradiktore,” tha Dado. Ai pranoi se shumë pacientë po paguanin tarifa të larta. “Kanë hyrë në veprim ndërmjetësit, apo sekserët, që marrin 10 deri në 20 për qind të tarifave nga spitalet. Kjo përfshirje e kompanive të paspecializuara, apo të turizmit mjekësor, vinte në rrezik serioz pacientët, për shkak se transportimi i të sëmurëve ka kritere”, sqaron Dado.

Edhe mjekja Arjana Sina vuri në dukje se në treg kishte dhjetëra operatorë të tjerë, që në mjaft raste nuk kishin lidhje me mjekësinë. “Janë shumë që kryesisht bëjnë rolin e ndërmjetësit,” shtoi ajo. Çmimet në spitalin me të cilin bashkëpunojnë Sina e Dado shkojnë nga 1500 euro dita për një pacient që do trajtohet në një situatë normale dhe deri në 2000 euro për pacientët që janë në intubim.