Andrew Brunson

Turqi, pastori amerikan del para gjykatës

Pastori amerikan Andrew Brunson, që është vendosur në qendër të konfliktit mes Ankarasë dhe Uashingtonit, ka dalë para një gjykate në Turqi për rifillimin e gjykimit mbi akuzat e lidhura me terrorizmin.

Vëzhguesit presin të shohin nëse ai do të lirohet apo jo, pasi Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar me sanksione shtesë të rast të mbajtjes së Brunsonit në Turqi.

Brunson, 50-vjeçar, mund të dënohet me 35 vite burgim, nëse shpallet fajtor për terrorizëm dhe spiunazh.

Prokurorët e akuzojnë atë për kryerjen e krimeve në emër të grupeve terroriste. Ata supozojnë se Brunson është i lidhur me grupin e militantëve kurdë që udhëhiqet nga kleriku turk që jeton në SHBA, Fethullah Gulen, të cilin Turqia e akuzon për orkestrimin e tentativës së dështuar për grusht shteti në vitin 2016.

Brunson, që ka jetuar në Turqi prej më shumë se dy dekadash, i mohon akuzat. Uashingtoni deklaron se ai është duke u mbajtur padrejtësisht nga autoritetet turke, në kuadër të arrestimeve dhe masave qeveritare pas puçit të dështuar.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert u tha gazetarëve më 11 tetor se Uashingtoni shpreson që ai të lirohet shumë shpejt. Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar dy zyrtarë turq dhe kanë dyfishuar tarifat mbi importet turke të çelikut dhe aluminit.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka sfiduar kërkesat e SHBA-ve për lirimin e Brunsonit. Megjithatë, ai ka përmendur më herët ndonjë shkëmbim të mundshëm të Gulenit me Brunsonin.