Kryeministri i Kosovës

Turneu europian i Kryeministrit me rrëfime për Asociacionin dhe sulmin terrorist në Banjskë

Udhëtimi për Paris me ftesë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, u mendua se do të prodhonte ndonjë shtysë të re sa i përket procesit të dialogut për shkak të momentumit që ishte krijuar më 26 tetor në Bruksel. Megjithatë përveç pritjes zyrtare në kuadër të Forumit të Paqes dhe përqafimit të shumë komentuar Kurti-Macron, duket se nuk ka pasur shumë për t’u raportuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në profilin e tij zyrtar kë bërë të ditur se më 9 nëntor 2023 ka udhëtuar për në Paris bashkë me bashkëshorten e tij për të marrë pjesë në Forumin e Paqes që organizohet nga kreu i shtetit francez.

“Në Pallatin Élysée, bashkë me Ritën, mysafirë të Presidentit francez Macron dhe Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron, në prag të edicionit të gjashtë të Forumit të Paqes në Paris”, kishte shkruar kryeministri i Kosovës.

Në postimin e tij, Kurti ka publikuar disa foto nga pritja që Macron iu ka bërë, ndërkohë që ka spikatur momenti i përqafimit në mes tij dhe presidentit të Francës.

Kjo u komentua edhe si një relaksim raportesh mes Kurtit dhe Macronit,  që erdhi si rezultat i “PO”-së së kryeministrit të Kosovës në Bruksel për Draftin evropian për Asociacionin. Macron gjatë vizitës së tij në Shqipëri kishte akuzuar liderët e Kosovës për “mos mbajtje të fjalës”. Në takimin e fundit në Bruksel me treshen Scholz, Macron, Meloni, Kurti ka pranuar draftin evropian, ndërkohë që treshja evropiane kanë bërë thirrje që Kurti dhe Vuçiq të tejkalojnë dallimet në ato që i kanë cilësuar “formalitete”

Kurti të nesërmen është larguar nga Parisi për t’u rikthyer përsëri më 11. Më 10 nëntor, Kurti është lajmëruar nga Granada e Spanjës, ku është mbajtur takimi i socialdemokratëve të Evropës, pjesë të cilëve po atë ditë u bë edhe Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! u bë anëtare e organizatës më të madhe socialdemokrate në Evropë – PES”, kishte shkruar Kurti në njoftimin e fjalimit të tij.

Kurti është rikthyer në Paris përsëri më 11 dhjetor ku edhe ishte një nga folësit e shumë sesioneve që ishin organizuar në kuadër të Forumit të Paqes. Ai ka zhvilluar një diskutim me temën “Krijimi i Paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurtë”.

Nga ky fjalim i tij, në platformën “X”, Kurti kishte veçuar një citat ku fliste për atë se si rrezikohet siguria kombëtare nga një lider i korruptuar.

“Pra ne duhet ta shohim rrezikun e korrupsionit gjithashtu në terma të sigurisë kombëtare dhe jo vetëm në aspekt të shkeljes ligjore dhe dëmtimit të ekonomisë”, kishte potencuar Kurti në Paris.

Këtë udhëtim të tij jashtë Kosovës, kreu i Qeverisë e ka vazhduar më pas në Vjenë të Austrisë ku ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës me temë “Ndërtimi i bashkëpunimit ekonomik në kohë të vështira”.

Kurti gjatë qëndrimit në Austri ka marrë pjesë edhe në një diskutim në “Karl Renner Institut” dhe ka dhënë një intervistë për televizionin publik të Austrisë, ku ka folur për zhvillimet politike, Banjskën e Asociacionin.

Pas gjashtë ditësh qëndrim mes Parisit, Spanjës e Austrisë, Kurti është rikthyer në Prishtinë. Në agjendën zyrtare të publikuar sot nga ZKM, ai në orën 12:00 do të marrë pjesë në Ditën e Informimit për Komunitetet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Ndërkohë, në fund të kësaj jave më 16 nëntor në Bruksel do të udhëtojë kryenegociatori Besnik Bislimi i cili do të takohet me Petar Petkovic me ndërmjetësimin e Miroslav Lajcak. Siç kanë deklaruar zyrtarisht nga Bashkimi Evropian, ata do të vazhdojnë diskutimet aty ku kanë mbetur më 26 tetor, pas takimeve që Kurti dhe Vuçiq kanë pasur me Macron, Scholz, Meloni, Michel, Borell e Lajcak.

Pas këtij takimi, Gjermania, Italia dhe Franca kishin kërkuar bashkërisht që Kosova të nis me themelimin e Asociacionit, ndërkohë që Serbia jep njohjen de-facto për Kosovën./Express/