Turizmi dobëson euron, leku do të vijojë të forcohet

Euro po vazhdon të dobësohet ndjeshëm duke shënuar rekorde të reja në rënie.

Sipas kursit të këmbimit valutor në vend, një euro po shkëmbehet mesatarisht me 118 lekë i cili rezulton niveli më i ulët i regjistruar gjatë këtij viti, shumë më poshtë minimumit historik prej 120.18 Lekë, të shënuar në dhjetor të vitit 2007.

Agjentët e këmbimit valutor thonë se kjo rënie përpos rritjes së normës së interesit, po nxitet kryesisht nga elementi sezonal dhe ardhja e turistëve të huaj në Shqipëri.

“Rritja e prurjeve nga sezoni turistik po rrit ofertën e Euros në treg duke ndikuar në nënçmimin më të madh historik të valutës europiane. Në vijim në muajin korrik por edhe më tej në gusht, ne parashikojmë që euro të prekë nivelet më të ulëta të viteve të fundit.

Tendencat do të vijojnë të jenë të ngjashme përgjatë gjithë sezonit çka nënkupton pritshmëri për zhvlerësim të mëtejshëm të Euros kundrejt Lekut”, thotë Dritan Poka, një agjent këmbimi valutor.

Mandej ai shton se këtë vit, numri i vizitorëve nga jashtë vendit është kthyer pranë niveleve të para pandemisë dhe kjo po reflektohet në shtimin e flukseve valutore hyrëse.

Numri i turistëve të huaj në 5 muajt e parë të këtij viti sipas të dhënave nga INSTAT ishte 1.6 mln duke rezultuar me rritje krahasuar edhe me periudhën e parapandemisë.

Në 5 mujorin e 2019-s Shqipërinë e vizituan më pak shtetas të huaj.

“Qarkullimi i më shumë eurove në tregun vendas por edhe rritja e remitancave që kanë sjellë emigrantët po ndikojnë dukshëm. Ky forcim i Lekut ndaj Euros, që është edhe monedha kryesore në këmbimet e tregtisë së jashtme të vendit, ka një efekt amortizues në përcjelljen e inflacionit të importuar në ekonominë shqiptare”, shton mandej ai.

Në muajin maj, inflacioni në Shqipëri sipas matjeve kombëtare arriti në 6.7%, niveli më i lartë në më shumë se 20 vjet.

Zhvlerësimi i euros ndaj lekut që është pozitiv për të gjithë ata persona që kanë marrë kredi në monedhën europiane nga ana tjetër po godet eksportet.

Rënia e euros shqetëson eksportuesit

“Eksportuesit që i blejnë mallrat me euro dhe i shesin në lekë janë menjëherë të ndikuar negativisht.

Duke qenë se shumica e shpenzimeve të tyre janë në lek, të ardhurat më të pakta të tyre si pasojë e uljes së vlerës së euros ju shkaktojnë probleme serioze në përballimin e kostove të prodhimit e pagave. Nëse situata vazhdon për një kohë të gjatë, bizneset edhe mund të rrezikojnë falimentimin.

Rënia e euros gjithashtu ndikon negativisht edhe në vlerën e depozitave në euro në sistemin bankar, të ardhurat e bizneseve që shesin në euro etj”, thotë mandej ai për Gazetasi.al.

Më 23 mars, Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë normën bazë të interesit me 0.5 për qind duke e çuar në 1 për qind, gjë që sipas agjentëve të tregut ndikoi në mbiçmimin e lekut.