Tuchel konfirmon dëshirën e Neymarit për t’u larguar nga PSG

Trajneri i Paris Saint-Germainit, Thomas Tuchel, ka thënë se ai ka qenë i vetëdijshëm për dëshirën e Neymarit për t’u larguar nga klubi francez qysh para se të fillonte turneu i Kupës së Amerikës.

Ylli brazilian ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë kohës së fundit për shkak të spekulimeve se ai nuk është i lumtur në kryeqytetin francez dhe dëshiron të kthehet në Barcelonë.

Këto spekulime u nxitën edhe më shumë kur Neymari mungoi në skuadrën e PSG-së në fillim të përgatitjeve parasezonale. Klubi tha se do ta ndëshkojë Neymarin për këtë gjë, përkundër që babai i lojtarit tha se Neymari kishte marrë leje paraprakisht që ta shtynte pushimin.

Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, ka thënë se Neymarit i lejohet largimi nga klubi gjatë këtij afati kalimtar të verës, edhe pse ai shtoi se deri më tani nuk ka pasur oferta të mira, përkundër bisedimeve sipërfaqësore me Barcelonën.

Dhe, tani, Tuchel e ka pranuar se ai ka qenë i vetëdijshëm për dëshirën e Neymarit për t’u larguar, por shtoi se vendimi se kur ose nëse do të largohet braziliani nga PSG-ja nuk është vendimi i tij për t’u marrë.

“Jam gjithmonë i zhgënjyer kur një lojtar vjen me vonesë. Por, gjithçka është e qartë mes nesh, është në mes të klubit dhe Neymarit. Tani, ne duhet të punojmë bashkë”, ka thënë Tuchel në një intervistë për RMC.

“A e dija se ai dëshiron të largohet? Po, e mora vesh këtë gjë para se të fillonte Kupa e Amerikës. Por, kjo është mes klubit dhe Neymarit. Unë jam trajneri, ai është lojtari i im. Nëse është në zhveshtore, atëherë është lojtari im dhe unë do të punoj me të”.

“Jam gati për gjithçka. Ne duhet të jemi më fleksibil. Unë nuk kam folur për këtë gjë me të. Jam i qetë, kjo është diçka që i përket klubit. Unë nuk ndërhyj, nuk është puna ime”.

Neymari iu bashkua skuadrës së PSG-së për stërvitje të hënën dhe klubi francez e hapi turneun parasezonal të martën, me fitore të thellë, me rezultat 6-1, kundër Dynamo Dresdenit.