Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka qëndruar sonte në Suharekë ku, së bashku me strukturat lokale të partisë, ka prezantuar Ardian Shalën si kandidatin e LDK-së për kryetar të komunës, si dhe ekipin e kandidatëve për Kuvendin Komunal.

Në fjalën e tij para qytetarëve, Abdixhiku theksoi se Suhareka ka qenë historikisht bastion i vlerave patriotike dhe i punës së ndershme, duke apeluar që ky qytet të kthehet sërish në krah të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Dhe sonte, dua të jem shumë i qartë me ju! Është koha që Suhareka të kthehet në LDK. Është koha që ky qytet i Ukë Bytyçit, ky qytet i patriotëve të mëdhenj, të kthehet aty ku i takon – në krah të Lidhjes Demokratike të Kosovës; shtëpisë suaj të vërtetë,” u shpreh Abdixhiku.

Ai e quajti ekipin e Ardian Shalës “ekip njerëzish të përgjegjshëm, të ndershëm dhe të punës”, të cilët, sipas tij, dinë të dëgjojnë qytetarët dhe të kthejnë besimin në zhvillim të vërtetë.

“12 tetori është dita kur Suhareka dhe gjithë Kosova do të flasë qartë: për shpresën, për të ardhmen, për Lidhjen Demokratike të Kosovës,” përfundoi kryetari i LDK-së.