Tryeza e AAK-së: Taksa ka ndikuar në rritjen e vetëdijes qytetare në konsum të produkteve vendore

Ka nisur tryeza e grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ngjarja është duke u zhvilluar në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, njofton Klan Kosova.

Gazmend Abrashi nga ky subjekt politik ka thënë se marrëveshjet tregtare të arritura nga Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian nuk janë respektuar – sidomos nga shteti serb.

Sipas tij, vendosja e tarifës ishte e domosdoshme dhe është përdorur si instrument për t’i bëre ballë fushatës së Serbisë.

“Taksa ka pasur efekt në rritjen e eksportit të prodhuesve vendorë – sidomos në vendet e BE-së. Serbia është dorëzuar duke kërkuar heqjen e taksës shkaku i humbjeve që iu shkaktuan në aspektin ekonomik”.

Ai ka shtuar se Qeveria Kurti po nxiton në heqjen e taksës për ta zëvendësuar atë me reciprocitet, me që sipas tij, kjo është zor e realizueshme.

Ndërsa Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit ka thënë se taksa është element kyç në shtet-ndërtimin e vendit.

“Taksa ka ndikuar në rritjen e vetëdijes qytetare në konsum të produkteve vendore”.

Shahini i ka përmendur edhe efektet negative që mund t’i ketë pasur taksa si ngadalësimi i procesit të liberalizimit të vizave dhe mundësimi i Serbisë që të avancojë në fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovë.

Megjithatë ai është shprehur i bindur se taksa duhet të mbetet në fuqi.