Trusti thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet: Kjo është procedura e tërheqjes së 10% nëse miratohet Ligji për Rimëkëmbje

Nesër në një seancë të jashtëzakonshme pritet të hidhet në lexim të dytë Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, Ligj ky që dështoi së miratuari për tetë herë.

Në të njëtin është paraparë që kontributpaguesit t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Në një përgjigje për GazetaBlic, zëdhënësi Trustit, Jeton Demi, ka deklaruar se përgatitjet nga ky institucioni tashmë janë kryer. Ai ka deklaruar se procedura e tërheqjes do të jetë e bazuar në distancë (online).

“Siç e kemi bërë të ditur, jemi në pritje të miratimit, e më pas hyrjes në fuqi, të ndryshimeve ligjore që lejojnë tërheqjen e 10%-shit. Përgatitjet janë bërë sipas verisionit të projektligjit në leximin e parë, presim të shohim versionin final nese do të ketë implikime në procesit e aplikimit. Procedura e tërheqjes do të jetë e bazuar në internet, pra nuk do të aplikimi fizik por në distancë. Detajet dhe instruksionet për aplikim do t’i bëjmë të ditura sapo të kemi ligjin në fuqi”, ka thënë Demi.

Demi ka thënë se kalimi i mjeteve nëpër llogaritë të qytetarëve do të kryehet, sipas tij, brenda pak ditësh.

“Çështja e aplikimit parashikohet të jetë e thjeshtë, ndërsa kalimi i mjeteve nga Trusti në banka mendohet të kryhet shpejt, brenda disa ditësh ose, në skenarin më ekstrem, brenda disa javësh. Kjo e dyta varet prej fluksit të aplikimeve por edhe detajeve teknike që mund të shfaqen gjatë procesit. Pastaj koha që do t’ju duhet kontribuuesve të realizojnë tërheqjen nga banka, ku po ashtu mund të ketë procedura e fluks të shtuar, nuk varet nga Trusti”, ka thënë Demi.

Ndryshe, në mbledhjen e mbajtur dje, Komisioni për Buxhet dhe Transfere në Kuvendin e Kosovës ka miratuar rekomandimet për projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.