Trump, presidenti me shkallën më të lartë të pakënaqësisë së popullit në histori të ShBA-së

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka shkallën më të lartë të pakënaqësisë popullore në këtë periudhë të qëndrimit në pushtet, sipas një ankete të re.

Sipas të dhënave të faqes “FiveThirtyEight”, 54 për qind e amerikanëve nuk janë të kënaqur me punën e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Ky është niveli më i lartë që nga tetori i vitit të kaluar, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

“Pakënaqësia ndaj presidentit Trump ka shënuar rritje përsëri, tani deri në 54 për qind. Ka pasur presdientë me përkrahje më të ulët në këtë pikë gjatë mandatit të parë, por asnjë president nuk ka pasur shkallë më të lartë të pakënaqësisë sesa që e ka Trump tani”, tha Nate Silver, themelues i kësaj faqeje.

I vetmi president amerikan që kishte shënuar shkallë të përafërt të pakënaqësisë së popullit ishte Jimmy Carter me 52 për qind në ditën e 1230-të të presidencës.

Në të njëjtën periudhë të qëndrimit në pushtet, ish-presidenti Barack Obama kishte përkrahje prej 47.3 për qind, ndërsa 47.1 për qind ishin të pakënaqur me punën e tij.

Rritja e pakënaqësisë ndaj punës së presidentit të shtetit më të fuqishëm në botë erdhi në kohën kur Shtetet e Bashkuara po përballen me koronavirusin dhe protestat në të njëjtën kohë.