Presidenti amerikan, Donald Trump, ishte prezent në ceremoninë e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, por nuk kishte mundur të shkojë për nderime tek varrezat e dëshmorëve amerikanë, të varrosur në Francë.
“Shkaku pse nuk kam mundur të jem prezent aty, ishte moti i keq. Unë kam bërë kërkesë për vizitë, por kjo më është refuzuar nga shërbimi i sigurimit”, tha Trump.
Së fundmi, Presidenti Trump ka shfrytëzuar edhe rrjetin social Twitter, për të kundërshtuar deklaratat e Presidentit francez, Emanuel Macron.
Presidenti Macron, ishte shprehur pro idesë të formimit të një Ushtrie të përbashkët Evropiane, por kjo ishte pritur keq nga Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili tha se “Franca po propozon formimin e një ushtrie të përbashkët, për tu mbrojtur nga SHBA, Rusia, Kina, por Gjermania ishte ajo që ishtë pjesë e Luftës së Parë dhe Dytë Botërore dhe çfarë bëri Franca? Ata kishin filluar ta mësonin gjermanishtën në Paris para se amerikant të mbërrijnë, kështu që NATO-n ose ta paguajnë, ose të heqin dorë”.
Të gjitha deklaratat e presidentit francez, Emanuel Macron, Trump i cilësoi si mënyrë e ndërrimit të temës, përcjell Ballkani.info.
“Problemi është se Emanueli, ka përkrahës të paktë në Francë, diku 26 përqind dhe ka një papunësi prej 10 përqind. Ai vetëm është munduar ta ndërrojë temën”, shtoi më tutje Trump.
Trump vazhdoi të kritikonte edhe politikat ekonomike mes dy shteteve duke thënë se Franca nuk po përkrah prodhimet e SHBA-së.
“Franca prodhon verë të mirë, të cilën ne e importojmë dhe e shesim edhe në SHBA, por prodhimet tona po kanë probleme eksportimi në Francë, shkaku që ky shtet iu shton taksa më të larta prodhimeve nga jashtë”, ka thënë në fund Presidenti Amerikan, Donald Trump.
Presidenti francez, Emanuel Macron, është pyetur rreth deklaratave të Donald Trump, por ai ka vendosur të mos përgjigjet duke thënë se gjithçka rreth planeve për Ushtri dhe Mbrojtje Evropiane është bërë e ditur në Paris, në shënimin e 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore. /Ballkani.info/







