Trump bën deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, pranon humbjen dhe flet për dhunën në Capitol Hill

Presidenti Donald Trump të enjten dënoi mbështetësit e tij të dhunshëm që sulmuan Kapitolin të mërkuren dhe pranoi humbjen ndaj rivalit të tij demokrat, Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Në një video-mesazh të ri, Presidenti Trump tha se tani që Kongresi ka certifikuar rezultatet, “administrata e re do të inaugurohet më 20 janar” dhe “fokusi i tij tani kthehet në sigurimin e një tranzicioni të qetë dhe rregullt të pushtetit”.

Ai gjithashtu foli kundër dhunës në Kapitol, duke e quajtur atë një “sulm të neveritshëm”.

Presidenti Trump tha se ishte i “zemëruar nga dhuna, si dhe shkelja e ligjit dhe rendit”.

Trump nuk foli mbi rolin e tij në nxitjen e dhunës. Por ai u tha mbështetësve të tij se, ndërsa ai e di se ata janë “të zhgënjyer”, ai dëshiron që ata ta dinë se “udhëtimi ynë i jashtëzakonshëm sapo ka filluar.”