Trudeau në takim me presidenten Osmani: Kanadaja do të avokojë për njohjen e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit të saj në Kanada është takuar me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau.

Osmani ka pranuar falënderim nga kryeministri kanadez për pjesëmarrjen e saj në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax dhe për nderimin me medalje të forcave kanadeze në kuadër të KFOR-it, për shërbimin e tyre 20-vjeçar.

Ajo çka është diskutuar mes dy liderëve është edhe angazhimi i Kanadasë që të përkrah vendin tonë në integrimin e plotë Euro-Atlantik.

“Ai tregoi se Kanadaja vazhdon të avokojë për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit kanadez.

Takimi më pas ka vazhduar për tema të mëdha si ndryshimet klimatike, mbrojtja e ambientit, fuqizimi i gruas, respektimi i dallimeve, ligjshmëria dhe demokracia.

“Presidentja Osmani-Sadriu gjithashtu diskutoi për reformat e brendshme në Kosovë, duke nënvizuar nismat anti-korrupsion dhe rritjen ekonomike si prioritet kryesore të saj”, thuhet më tej, teksa potencohet që janë pajtuar në parim që të shohin mundësitë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.