Një problem kompleks për të cilin mikrobiologët kishin punuar për dhjetë vjet, u zgjidh në vetëm 48 orë falë një mjeti të ri të inteligjencës artificiale (AI).

Profesori José R. Penadés dhe ekipi i tij në Imperial College London kanë shpenzuar vite duke hulumtuar dhe provuar sesi disa superbaktere bëhen rezistente ndaj antibiotikëve.

Kur ai i dha “bashkëshkencëtarit” të tij – një mjet i zhvilluar nga Google – një pyetje të shkurtër në lidhje me problemin me të cilin po punonte, AI arriti në të njëjtin përfundim në vetëm dy ditë.

Ai i tha BBC-së se sa i tronditur ishte, duke pasur parasysh se hulumtimi i tij nuk ishte publikuar ende, kështu që AI nuk mund ta merrte këtë informacion përmes burimeve të disponueshme publikisht.

“Unë isha duke bërë pazar me dikë dhe i thashë: “Të lutem më lër vetëm për një orë, duhet ta përpunoj këtë,” tha ai në programin Today në BBC Radio Four.

Më pas ai dërgoi një email në Google duke pyetur: “A keni akses në kompjuterin tim?”

Gjiganti i teknologjisë u përgjigj se nuk kishin.

Puna dhjetëvjeçare e shkencëtarëve përfshinte vitet e nevojshme për të vërtetuar kërkimin e tyre. Por nëse do ta kishin pasur këtë hipotezë që në fillim, mund të kishin kursyer vite pune.

AI gjithashtu gjeneron ide të reja

Profesor Penadés thekson se AI jo vetëm që konfirmoi hipotezën e tyre, por ofroi edhe sugjerime shtesë.

“Ai nuk dha vetëm përgjigjen e saktë si opsionin e parë. Ai dha edhe katër hipoteza të tjera dhe të gjitha kishin kuptim. Një prej tyre nuk na ka shkuar kurrë në mendje dhe po punojmë tani”.

Studiuesit po përpiqen të zbulojnë se si lindin superbakteret – mikroorganizma të rrezikshëm rezistent ndaj antibiotikëve.

Hipoteza e tyre është se superbakteret mund të përdorin bishtat e viruseve të ndryshëm për t’u përhapur midis specieve.

Profesor Penadés e krahason këtë fenomen me “çelësat” që lejojnë superbakteret të lëvizin nga një host në tjetrin.

Kjo hipotezë ishte unike për ekipin e tij hulumtues dhe nuk ishte publikuar apo shpërndarë askund. Kjo është arsyeja pse ata e konsideruan atë një test ideal për një mjet të ri të AI.

Vetëm dy ditë më vonë, AI doli me disa hipoteza – dhe ideja e saj e parë, një propozim kryesor, përputhej saktësisht me përshkrimin nga hulumtimi i tyre.

AI do të ndryshojë shkencën

Roli i AI në shkencë po shkakton reagime të ndara. Ndërsa disa pretendojnë se do të mundësojë përparim të madh, të tjerë kanë frikë se do të çojë në humbje të vendeve të punës.

Profesor Penadés i kupton këto frikë, por beson se AI duhet parë si një “mjet jashtëzakonisht i fuqishëm” që do të avancojë kërkimin.

“Mendoj se kjo patjetër do të ndryshojë shkencën,” tha ai.