Tronditë ish-prokurori Special: Akuzat ndaj pjesëtarëve të UÇK-së e kanë pikënisjen nga shqiptarët, ata na e sollën këto informacion

Në intervistën e tij ekskluzive për RTV Ora, ish kryeprokurori i EULEX John Clint Williamson, i cili ka qenë në krye të hetimeve për krime lufte ndaj ish pjesëtarëve të UÇK, është shprehur se aktakuzat e Gjykatës Speciale nuk kanë për qëllim njësimin e viktimës me agresorët gjatë luftës në Kosovë.

Sipas tij, këto aktakuza e kanë pikënisjen nga shqiptarët e Kosovës.

“Këto akuza e kanë pikënisjen nga shqiptarë të Kosovës. Ata na e sollën këtë informacion. Këta kanë besuar se krimet kanë ndodhur, i kanë parë se çfarë ka ndodhur dhe menduan se gjëja më e mirë për të bërë ishte t’ua bënin të ditur edhe të tjerëve për kryerjen e këtyre krimeve. Gjëra të tjera janë raportuar në vitin 1999 nga organizata të të drejtave të njeriut si Human Rights Watch dhe Amnisty Internacional që kanë qenë të pranishëm me njerëz në terren dhe kanë folur me dëshmitarë në atë kohë”, shprehet Williamson.

Pjesë nga intervista:

Gazetarja Besmira Pelushaj: Udhëheqësit politikë në Prishtinë dhe në Tiranë thonë se aktakuza krahason agresorin me viktimën gjatë luftës në Kosovë. Çfarë mendoni për këtë?

John Clint Williamson: Jo, nuk është kjo çështja. Siç e thashë kur publikova gjetjet e hetimit në 2014, unë isha në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999 në gjatë të luftës dhe kur vendi ndeshej me pasojat e luftës. Unë kam qenë së bashku me trupat e NATO-s më 12 qershor 1999 dhe drejtova hetimin e Gjykatës Ndërkombëtare për atë që kushte ndodhur aty. Unë mbikëqyra hapjen e të gjitha vareve masive ku ndodheshin trupat e mijëra shqiptarëve të Kosovës. Unë pashë këtë me sytë e mi. Padyshim që forcat serbe ishin agresorët dhe në shumicën e rasteve shqiptarët ishin viktimat. Kjo procesi tani nuk lidhet me shfajësimin e saj që ndodhi pas dhe asaj që ndodhi gjatë konfliktit. Ajo që ndodhi gjatë konfliktit ishte shumë me e keqe dhe natyrisht shqiptarët kanë vuajtur më shumë gjatë asaj periudhe. Nëse kishte forca ushtarake që mbronin një vend apo mbronin njerëz, ato duhet që të zbatojnë ligjet e luftës dhe ligjet ndërkombëtare humanitare. Nëse ata nuk i kanë zbatuar këto ligje, atëherë duhet të mbajnë përgjegjësi, pra nuk lidhet me ndëshkimin e qëllimit për të cilin ata luftonin apo qëllimin e ushtrisë në tërësi. Por individët që janë përgjegjës për shkeljen e këtyre ligjeve duhet të mbajnë përgjegjësi. Pra kjo është e gjitha, individualizimi i fajit e atyre njerëzve që janë përgjegjës për marrjen e vendimeve për shkeljen e ligjeve. Kjo nuk është një aktakuzë për UÇK-në në tërësi nuk është një aktakuzë për mbrojtjen shqiptare kundër agresionit serb. Nuk ka asnjë lidhje me këtë. Kjo është një aktakuzë për individët që zgjodhën të shkelin ligjet.

Gazetarja Besmira Pelushaj: A kishte alternativë Kosovapër Gjykatën Speciale? Nëse politika do të kishte refuzuar krijimin e saj, çfarë do të ndodhte, do të ngrinte OKB këtë Gjykatë?

John Clint Williamson: Kjo është një pyetje shumë interesante. Kur u publikua raporti i Dick Marty në Këshillin e Europës dhe një sërë qeverish europiane këmbëngulën për nevojën e një hetimi të plotë penal. Në atë kohë Rusia dhe Serbia, që të dyja kërkuan themelimin e një Gjykatë të re të OKB-së për t’u marrë me këtë çështje. ShBA-ja dhe Bashkimi Europian besoj se patën një qasje korrekte. Meqenëse ShBA-ja mbante përgjegjësi për çështjet e shtetit të së drejtës në Kosovë, ndaj Bashkimi Europian duhet ta mbikëqyrte hetimin dhe procesin gjyqësor që do të pasonte. Dhe kjo solli në themelimin e task forcës speciale të hetimit, të cilën unë e drejtova si kryeprokuror në Bruksel. Por edhe pas kësaj, Rusia vazhdoi të këmbëngulë për një gjykatë të OKB-së dhe kjo solli një debat shumë serioz në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Fakti është se shumica e mbështeti, brenda Këshillit të Sigurimit, krijimin e një gjykate tjetër. Nëse Bashkimi Europian nuk do ta kishte bërë këtë, nëse BE-ja nuk do të ishte në gjendje të zhvillonte një hetim, çështja do të kthehej në Këshillin e Sigurimit dhe aty do të ishte votuar për të krijuar një gjykatë të OKB-së. Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca ia bënë të qartë qeverisë së Kosovës se nuk do ta përdornin veton e tyre për të bllokuar një hetim të kësaj çështje. Pasi këto ishin akuza shumë të rënda. Ndaj para autoriteteve të Kosovës doli kjo dilemë. Ose të lejonin Bashkimin Europian ta bënte këtë nën autoritetin e vet të ligjit në Kosovë dhe të bashkëpunonte me të, ose çështja të shkonte sërish në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku shumica e anëtarëve do të votonin për të krijuar një gjykatë. ShBA-ja dhe BE-ja nuk donin që kjo çështje të hiqej nga duart e BE-së dhe ta dërgonin mbrapsht në Këshillin e Sigurimit. Kjo do të kishte ndodhur nëse nuk zbatohej skenari europian. 

Gazetarja Besmira Pelushaj: Si pjesë e hetimit, ju keni takuar shumë politikanë në Kosovë. Çfarë ju thanë ata?

John Clint Williamson: Duke u kthyer në vitet 1998-1999 kur unë shërbeva në UNMIK, shpenzova shumë kohë në Kosovë gjatë 20 vjetëve të fundit dhe njoh shumë vetë aty. Krijova shumë miqësi në Kosovë dhe respektoj shumë njerëz që shërbejnë strukturat politikë. Kam pasur shumë marrëdhënie të mirë me ta. Edhe kur mora detyrën e kryeprokurorit, gjë që nuk është diçka që e kërkova, por mu ngarkua si detyrë si nga Bashkimi Europian dhe qeveria amerikane, këta njerëz që punonin në Kosovë vazhduan të bashkëpunojnë me mua dhe u treguan shumë profesionistë. Unë e di që kjo nuk ishte një gjë e lehtë për ta. Këto ishin akuza shumë të rënda dhe shumë të vështira për t’i adresuar por ata e bënë punën e tyre në një mënyrë shumë profesionale dhe unë e vlerësova dhe e respektoj këtë.

Gazetarja Besmira Pelushaj:  A janë këto aktakuza të ngritura kundër ish-liderëve të UÇK-së të propaganduara nga Serbia?

John Clint Williamson: Jo, këto akuza e kanë pikënisjen nga shqiptarë të Kosovës. Ata na e sollën këto informacion. Këta kanë besuar se krimet kanë ndodhur, i kanë parë se çfarë ka ndodhur dhe menduan se gjëja më e mirë për të bërë ishte t’ua bënin të ditur edhe të tjerëve për kryerjen e këtyre krimeve. Gjëra të tjera janë raportuar në vitin 1999 nga organizata të të drejtave të njeriut si Human Rights Watch dhe Amnisty Internacional që kanë qenë të pranishëm me njerëz në terren dhe kanë folur me dëshmitarë në atë kohë. Pra ka pasur një dokumentim të plotë që ndodhi gjatë asaj periudhe. Në lidhje me dëshmitarët në Serbi, zyra e prokurorit serb, e ndihmoi zyrën time me logjistikën për të intervistuar dëshmitarët ashtu siç ne veprojmë edhe me qeveritë e tjera, sa herë që shkon në një vend të tretë. Ne nuk kishim autoritet të vepronim pa njoftuar më parë qeverinë. E njëjta gjë vlen për Shqipërinë, Kosovën që veprohej nëpërmjet EULEX-it, dhe padyshim në Serbi apo në Gjermani, në Francë, kudo. Duhet vepruar nëpërmjet autoriteteve qeveritare. Ndaj ne punuam me zyrtarët serbë në lidhje me përgatitjen e logjistikës. Na ndihmuan për të lokalizuar dëshmitarë të cilët ne i kishim identifikuar. Por ata nuk ka kanë dhënë neve prova apo çdo provë që ata mund të jepnin ne padyshim do ta kishim verifikuar në të njëjtin nivel hetimi sikur ta kishim gjetur vetë. Nuk ka ndodhur që ata na kanë dhënë informacione dhe ne thjesht i kemi pranuar pa e verifikuar dhe analizuar. Kjo nuk është mënyra se si ne punojmë.  

Gazetarja Besmira Pelushaj:  A është e vërtetë që ju keni zhvilluar mbi 300 intervista me dëshmitarë në Serbi?

John Clint Williamson: Ka pasur disa qindra intervista. Nuk e mbaj mend pasi kanë kaluar disa vjet që kur drejtova task forcën speciale të hetimit, por dua të them që ne zhvilluam me qindra intervista dhe pasuesit e mi dhe prokurorët e specializuar kanë zhvilluar edhe më shumë intervista. Ndaj nuk e di numrin e plotë, por në mos qindra mund të them se janë me mijëra intervistat e kryer.

Gazetarja Besmira Pelushaj: Kështu ka ndodhur edhe në Shqipëri dhe Kosovë?

John Clint Williamson: Padyshim një numër i madh intervistash janë realizuar në Kosovë. Unë nuk kam dijeni për Shqipërinë, nuk e di sa janë realizuar aty, por besoj se shumica janë realizuar në Kosovë dhe Serbi. Por di që ka pasur intervista me njerëz në mbarë Europën, në ShBA, në Kanada. Kanë ndodhur 20 vjet më parë dhe shumë njerëz që atëherë jetonin në Kosovë, shqiptarë apo serbë kanë lëvizur në vende të tjera. Disa shkuan në Gjermani, disa kanë shkuar në Zvicër, disa në Francë, në Mbretërinë e Bashkuar, në ShBA, Kanada. Pra intervistat janë zhvilluar në mbarë botën kudo ku këta individë janë identifikuar.

Gazetarja Besmira Pelushaj: Në fund, nëse doni të sqaroni diçka?

Jo, kjo ishte e gjitha. Siç e thashë këto aktakuza janë një hap i rëndësishëm përpara, por ne duhet të presim dhe të shohim se si do të zhvillohet gjyqi. Mendoj se çdonjëri duhet të tregohet i duruar. Të lejojë paraqitjen e provave përpara gjykatësve dhe të shikojë se çfarë vendimesh do të marrin ata. Edhe një herë, duhet kuptuar se këto janë aktakuza për individët për veprimet e tyre personale. Kjo nuk është një aktakuzën për UÇK-në apo për Kosovën dhe Shqipërinë në tërësi. Ky është misioni i drejtësisë ndërkombëtare. Të sigurojë që individët përgjegjës të dënohen dhe të mos ketë faj kolektiv kundrejt tërë popullatës. Dhe pikërisht këtë shpresoj se do të bëjë ky proces.