Tridhjetë studentë të UP-së me mundësi pune praktike në Aeroport

Universiteti i Prishtinës dhe Limak Kosovo International Airport JSC, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi, e cila i takon vitit të pestë të projektit “Institutit Limak për Shërbime të Aeroportit”.

Ky projekt do t’u ofrojë mundësi 30 studentëve për punë praktike në këtë aeroport.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, është shprehur falënderues ndaj këtij bashkëpunimi që kanë tash e sa vjet me kompaninë Limak. Sipas tij, studentët e UP-së përveç punës praktike që do kryejnë në Aeroport do të kenë mundësi të marrin eksperienca edhe në shërbime.

Dema: Kompania Limak është mik i përhershëm i UP-së (Video)

“Çdoherë e më afër, është mik i përhershëm i Universitetit të Prishtinës, sepse janë disa vite me radhë që kemi bashkëpunim. Bashkëpunim që ka benefite në shumë sfera, në shumë dimensione. Studentët tanë jo vetëm që e kryjnë punën praktike, marrin eksperienca për shërbime në aeroport. Krijojnë miqësi, komunikim me dy shtete mike, shtetin turk dhe shtetin francez. Pastaj gjejnë një pjesë e madhe, vende të punës. Ku në takimet që kemi pasur edhe kompania është shumë e kënaqur me rezultatet e këtyre studentëve, por njëkohësisht na ndihmojnë që edhe na ta zbatojmë planin strategjik, që studentët tanë të ofrojnë punë praktike”, tha ai.

Dema tha se kjo kompani tashmë e ka mundësinë që t’i ketë pjesë të saj, studentët e Universitetit të Prishtinës, të cilët sipas tij, po shkëlqejnë jo vetëm në këtë projekt por edhe në shumë gara.

Ai u zotua se për të qenë pjesë e këtij projekti, studentët nuk do të kenë nevojë të njohin rektorin apo dekanin për të intervenuar.

“Në këtë universitet nuk ki nevojë me njoft rektorin apo dekanin, për të intervenuar, për tu bërë pjesë e këtij projekti, por mjafton që t’i kesh ato vlera, t’i plotësojsh që kushtet që parashihen në konkurs dhe me siguri do të bëhesh, pjesë e të gjitha këtyre proceseve që kalon Universiteti i Prishtinës, për çka duhet të ndihemi krenar”, tha ai.

Falënderuese për këtë bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, u shpreh edhe zyrtarja për media në Aeroportin e Prishtinës, Valentina Gara. Ajo tha se do të vazhdojnë edhe më tutje me bashkëpunime të tilla.

“Jemi mjaft falënderues, po ashtu edhe për Qendrën e Karrierës, për zhvillimin e karrierës, brenda Universitetit të Prishtinës, duke mos harruar edhe përkrahjen personale të prorektores Merita Berisha. Ne do të vazhdojmë që gjithmonë të kemi projekte të tilla në benificion të shoqërisë kosovare. Një projekt i tillë ka marrur edhe çmime ndërkombëtarë, meqenëse këtë vit e kemi gjeneratën e pestë. Besojmë dhe shpresojmë që edhe më tutje do të kemi një bashkëpunim të tillë me Universitetin e Prishtinës”, tha ajo.

Gara tha se deri tani Limak ka punësuar 120 studentë nga UP-ja.

“Secila gjeneratë i ka pasur rreth 30 studentë deri më tani kemi ofruar mundësi punësimi për 120 studentë. Disa janë pjesë e aeroportit, disa kanë vendosur të vazhdojnë studimet jashtë vendit. Edhe kjo gjeneratë në fund do të ketë 30 studentë dhe gjithsesi do t’u ofrohet edhe atyre mundësi punësimi në aeroport. Kështu që do të shfrytëzoja rastin që të lus të gjithë studentët të cilët janë nga këto fakultete të cilat janë kriteret e përzgjedhjes, që të aplikojnë, meqenëse përveç njohurive dhe punës praktike, ata do të mund të jenë pjesë edhe e shërbimeve të aeroportit”, ka vazhduar Gara.

loading…