Bashkëpunëtori i afërt i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, i cili ishte kryetar i LDK-së që nga fillimi, Adnan Mervovci, ka kujtuar tri Kuvendet e para të kësaj partie.

Ai ka thënë se Kuvendi i parë i LDK-së është mbajtur më 5 maj të vitit 1991 në Medresenë Alaudin në Prishtinë.

Kuvendi i dytë ishte mbajtur më 14 korrik të vitit 1994 në restorantin Shoë, kurse i treti më 25 shkurt të vitit 1998 në restorantin Dora, shkruan Ballkani.info.

Në të gjitha këto Kuvende, Rugova ishte zgjedhur kryetar me aklamacion dhe pa kundërkandidat.

Ndërkaq, të shtunën LDK-ja e mban Kuvendin e shtatë zgjedhor, mirëpo ende nuk dihet se kush do të jetë kandidati apo kandidatët për kryetar të partisë.

Deri më tash janë 4-5 emra që po përmendet, kurse sot pas mbledhjes së Kryesisë, media të caktuara raportuan se kandidat konsensual është kryetari aktual, Isa Mustafa.

Megjithatë, njëri nder emrat më të përfolur për ta marrë drejtimin e partisë, Lutfi Haziri, ka thënë se Mustafa nuk është kandidat konsensual dhe se kandidaturat do të bëhen të ditura të shtunën.

Postimi i plotë i Adnan Merovcit:

Tri Kuvendet e para të LDK-së!

Kuvendi i parë (5 maj 1991) në Medresen ALAUDIN.

Naip ZEKA: “Meqenëse me Statut është paraparë që Këshilli Qendror ta zgjedhë Kryesinë dhe Kryetarin, meqenëse opinioni pret me padurim zgjedhjet tona dhe zgjedhjen e Kryetarit propozoj që Kuvendi ta bëjë një ndryshim në Statut dhe me aklamacion ta zgjedhë Kryetarin, Propozoj Dr. Ibrahim RUGOVËN”. Duartrokitjet e gjata dhe të të gjithëve konfirmuan zgjedhjen e Dr. Ibrahim RUGOVËS, Kryetar të LDK-së! Dr. Ibrahim RUGOVA: “Falemnderit shumë. Edhe një përgjegjësi më e madhe”.

Kuvendi i dytë (14 korrik 1994) në Restoran “SHOW”.

Hydajet HYSENI: “A pajtoheni që Kryetarin ta zgjedhim me aklamacion?” Ovacionet e duartrokitjeve miratuan këtë propozim dhe Dr. Ibrahim RUGOVËN Kryetar të LDK-së.

Dr. Ibrahim RUGOVA: “Zonja dhe zotërinj Delegat, ju falemnderi për besimin e sërishëm që treguat në mënyrë spontane dhe me vullnet tuajin. Nuk kam përgatitur ndonjë fjalë rasti. Edhe njëherë është një përgjegjësi që të realizojmë synimet tona programore pastaj deklarimin e popullit të Kosovës për një Kosovë të pavarur dhe neutrale, që të organizojmë jetën tonë më mirë, ta institucionalizojmë, të jemi në kontakt me botën. Në këtë situatë të vështirë duhet ta ruajmë mirëkuptimin, mirëbesimin te njëri tjetri, lirinë tonë që e kemi ndërmjet veti. Ndoshta ju duken këto fjalë që i përsërisë shpesh por në këto punë përsëritjet gjithmonë janë përforcim dhe mësim. Me këtë rast dëshiroj t’i falënderoj Këshillin Qendror dhe Kryesinë e cili ka punuar deri tash së bashku me ju dhe kanë bërë çmos sepse të gjithë jemi në një rrugë, në një front të rezistencës. Ju falënderoj edhe njëherë, ju lus të ruajmë mirëbesimin dhe unitetin tonë. Ju falemnderit shumë”.

Kuvendi i tretë (25 shkurt 1998), në Restoran “DORA”.

Fehmi AGANI: “Më takon natyrshëm si delegat më i moshuar dhe i bindur se shprehë mendimin e të gjithë të pranishmëve si dhe të qindra e mijëra antarëve të LDK-së që ju kanë deleguar. Kam kënaqësinë që ti propozoj Kuvendit të tretë që për Kryetar të LDK-së për mandatin e ardhshëm të zgjedhë Dr. Ibrahim RUGOVËN”. Duartrokitjet e të gjithëve miaratuan këtë propozim. Në vazhdim Prof. AGANI vazhdoi: “S’ka dyshim se emri i LDK-së, funksionimi dhe rezultatet e saj, lidhen në masën më të madhe me emrin e Kryetarit të saj të deritashëm dhe të ardhshëm Dr Ibrahim RUGOVËS. Orientimet themelore politike që e karakterizojnë qëndrimin e LDK-së ose lëvizjes politike shqiptare, orientimi për pavarësi, vetëvendosje dhe Republikën e Kosovës sovrane dhe të pavarur, orientimi si arritje paqësore të këtyre arritjeve si dhe orientimin për demokratizimin esencial të të gjitha sektoreve të jetës sonë, janë të lidhura në radhë të parë më emrin e Dr.Ibrahim RUGOVËS. Edhe rezultatet kryesore tonat, shprehin unitetin politik të platformës së pavarësisë së Kosovës në atë masë sa Serbia sot të mos gjejë mbështetje në asnjë segment të shoqërisë shqiptare, mandej evitimi i gjakderdhjes që i kanosej Kosovës jo duke iu nënshtruar Serbisë por duke e kontestuar Serbinë në të gjitha sektorët. Mandej ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës aq sa të kemi një përkrahje ndërkombëtare për kërkesat tona të cilat nuk i kemi pasë asnjëherë në historinë tonë të deritashme, janë rezultate të LDK-së dhe në radhë të parë Kryetarit të saj Dr. Ibrahim RUGOVA. I inkurajuar nga përkrahja që ju dha me rastin e zgjedhjes Kryetar të LDK-së, marr të drejtën që këtij Kuvendi t’i propozoj njëkohësisht që Dr. Ibrahim RUGOVA, Kryetar i LDK-së, të propozohet kandidat i LDK-së për Kryetar të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare”. Duartrokitjet e pandërprera miratuan edhe këtë propozim.

Dr. Ibrahim RUGOVA: “ Zonja dhe zotërinjë, musafir të nderuar, delegat të dashur, ju falemnderit shumë për besimin që ma dhatë edhe për këtë mandat që ta udheheqi LDK-në. Siç e përmendi Prof. AGANI, janë meritat e personalitetit dhe individit për të cilat duhet edhe ne të mësohemi me to por, merita më e madhe i takon antarësisë së LDK-së dhe popullit të Kosovës, qytetarëve të Kosovës që kanë treguar pjekuri, punë, veprim dhe aksion në ndërtimin e shoqërisë së Kosovës dhe shtetit dhe të përcaktimit të patundshëm për pavarësinë e Kosovës. U’a jap fjalën se do të punojmë së bashku dhe gjënë kryesore që të kultivojmë harmoninë. Nga punët e mëdha na dalin edhe fjalë të kçija po të gjitha bëhen me qëllim që të bëhet sa më mirë. Po ashtu shfrytëzoj rastin që meqenëse nuk po kemi mundësi komunikimi bile as televiziv, t’ju falënderoj dhe të ndihemi këtu së bashku gjithmonë dhe na priftë e mbara. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj”.

loading…