Sazan Ibrahimi

Tri komunat veriore ende nuk kanë bërë kërkesë zyrtare për t’iu bashkuar Asociacionit të Komunave të Kosovës

Një muaj më parë, Komuna e Mitrovicës së Veriut është anëtarësuar në Asociacion e Komunave të Kosovës (AAK). Një gjë të tillë pritet ta bëjnë edhe tri komunat e tjera veriore, Leposaviqi, Zubin Potoku e Zveçani pasi kuvendet e tyre komunale tashmë kanë dhënë dritën jeshile.

Tri kuvendet komunale kanë votuar pro bashkimit të këtyre komunave në AKK, ndërsa tani pritet që të shqyrtohet ligjshmëria e këtyre vendimeve në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Për procedurat e anëtarësimit ka folur në një prononcim për Telegrafin drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi.

“Këto vendime të kuvendeve komunale që janë marrë në komunat përkatëse, duhet të shkojnë për shqyrtim të ligjshmërisë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Pas shqyrtimit të ligjshmërisë së atyre vendimeve, kryetarët e atyre komunave e dorëzojnë kërkesën zyrtare në Asociacionin e Komunave të Kosovës për anëtarësim, e pastaj Bordi merr vendim se kur duhet të thirret Kuvendi i jashtëzakonshëm”, ka thënë Ibrahimi.

Ai tutje ka bërë të ditur se ende nuk kanë pranuar kërkesë zyrtare nga këto tri komuna.

Në fund, Ibrahimi ka shtuar se AKK-ja është organizatë vullnetare dhe se misioni i tij është mbrojtja e interesit të komunave ndaj nivelit qendror.

“AKK-ja nuk ka të bëjë me politikën. Pra, nuk jemi mekanizma politikë dhe misioni ynë është mbrojtja e interesit të komunave ndaj nivelit qendror. Asociacioni i Komunave është organizatë joqeveritare, e cila i mbron interesat e komunave. Është organizatë vullnetare e themeluar bazuar në Kartën Evropiane mbi Vetëqeverisjen Lokale dhe çdo komunë e Kosovës ka interes të anëtarësohet në AKK”, ka përfunduar ai.

Këto komuna nuk kanë qenë pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës më parë, pasi që ishin duke u udhëhequr nga partitë serbe, ndërsa nga zgjedhjet e fundit që u mbajtën atje, komunat veriore po udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e ka kundërshtuar vendimin e komunave veriore për t’iu bashkuar AKK-së, duke thënë se “ai nuk është në përputhje me kërkesat e serbëve lokalë”, dhe se si i tillë “do të vazhdojë ta përshkallëzojë situatën në veri të Kosovës”.