Tri foshnja të nënave me COVID po trajtohen në Neonatologji, një në gjendje të rëndë

Ndonëse ka rezultuar negativ me COVID-19 po vazhdon të jetë në gjendje më të rëndë shëndetësore foshnja e 26-vjeçares nga Komuna e Vitisë e cila ka vdekur të dielën si pasojë e infektimit me coronavirus

Foshnja është i intubuar me respirator.

Kështu ka bërë të ditur për Kp, ushtruesja e detyrës së e drejtoreshës së Klinikës së Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Hajrije Ismaili e cila tha se aktualisht në këtë klinik po trajtohen edhe dy foshnja të tjera që janë negativë por që nënat e tyre janë me coronavirus.

Për këto dy foshnje Ismaili tha se kanë gjendje stabile shëndetësore.

“Ditët e fundit në Klinikën e Neonatologjisë kemi pasur pranime të foshnjave të nënave COVID pozitiv, të gjitha foshnjat kanë rezultuar negative dhe gjendja e tyre e pothuajse të gjithave ka qenë stabile përveç një foshnje e cila është në gjendje të rëndë dhe që në momentin e lindjes ka qenë në gjendje të rëndë dhe vazhdon të jetë në ventilim mekanik…Aktualisht i kemi tre foshnje, dy prej tyre janë në gjendje stabile dhe 1 një gjendje të rëndë.… (Për foshnjën në gjendje të rëndë) Jo ai është negativ por qysh në lindje ka qenë në gjendje të rëndë dhe vazhdon të jetë në gjendje të rëndë…Gjendja e nënës gjatë lindjes ka qenë e rëndë edhe foshnja ka qenë në gjendje të rëndë“, theksoi Ismaili.

Ajo ka deklaruar se gjatë këtij viti në Klinikën e Neonatologjisë pozitivë kanë rezultuar 6 foshnja, prej tyre 1 ka vdekur javën e kaluar.

Neonatologia, Hajrije Ismajli ka apeluar që të vaksinohen të gjitha nënat gjidhënëse, derisa tha se edhe ato nëna që janë të infektuara me COVID mund t’i ushqejnë me qumësht të gjirit të sapolindurit, por që gjithsesi duhet respektuar masat anti-COVID.

“Varësisht nga gjendja e foshnjës nëse foshnja ka nevojë për trajtim bëhet trajtimit sipas të gjeturave klinike, laboratorike dhe radiologjike ndërkaq foshnjat që janë në gjendje stabile bëhet përkujdesje rutinore…Rekomandimet janë që foshnjat të ushqehen nga nënat COVID-19 me masa të shtuara me mbajtje të maskës me higjienë madje edhe në po të njëjtën dhomë mund të qëndroj foshnja së bashku me nënën…Nënat gjidhënëse duhet të vaksinohen, prandaj bëjmë apel tek nënat gjidhënëse dhe i inkurajojmë të vaksinohen ”, tha specialistja e Neonatologjisë në QKUK.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Klinikës së Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Hajrije Ismaili thotë se në këtë Klinikë vërehet rënie e lindjeve krahasuar me vitet e kaluara.

“Respektivisht nga vitet e kaluara kemi një rënie por nuk është përqindje sinifikante”, theksoi ajo.

Në Kosovë shifra e personave të vdekur nga coronavirusi vazhdojnë të jenë dyshifrore. Brenda 24 orëve të fundit, kanë ndërruar jetë 28 persona, derisa pozitiv me COVID kanë rezultuar 920 persona.