Trepça humb nga Ponte, rrezikon plejautin

Klubi i basketbollit, Trepça, e ka humbur ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. Të shtunën, në ndeshjen e xhiros së 28-të, të fundit për pjesën e rregullt të sezonit, Trepça pësoi në udhëtim nga Ponte Prizreni. Dueli i luajtur në palestrën “Sezai Surroi”, përfundoi me rezultatin 106:101 , në të mirë të Ponte Prizrenit.

Me këtë fitore, Ponte Prizreni vetëm se u konfirmua si kampion i pjesës së rregullt derisa Trepça rrezikon plejautin.

Trepça mund të mbetet në plejaut sikurse sezonin e shkuar nëse dueli ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Bashkimit përfundon me fitoren e ekipit kryeqytetas. Fitorja eventuale e Prishtinës do të bëjë që Trepça të mbetet e parafundit në tabelë.

Të tri ekipet, Prishtina, Bashkimi e Trepça do të përfundonin me nga 39 pikë, por për shkak se ekipi nga Mitrovica në ndeshjet e ndërsjella ka më pak fitore, do të luajë në plejaut.

Ndërkohë, Prishtina e Bashkimi do të kualifikohen në plejof.

Më efikasit në triumfin e Ponte Prizrenit, ishin amerikanët Kwame Vaughn e Landon Taliaferro. Vaughn ndeshjen e mbylli me 25 pikë kurse Taliaferro shtoi 24 sosh. Te Trepça, u veçua Drilon Hajrizi me 28 pikë, 11 kërcime e nëntë asistime.