Treni i shpejtë nga Mynihu përplaset me trenin çek, 2 të vdekur e mbi 40 të lënduar

Dy persona kanë vdekur e mbi 40 të tjerë janë lënduar, kur një tren i shpejtë i nisur nga Mynihu i Gjermanisë i përplas me një tren udhëtarësh të mërkurën në Republikën Çeke.

Katër persona me lëndime të rënda janë transportuar nga vendi i aksidentit me helikopter, ndërsa 31 të tjerë kanë pësuar lëndime më të lehta, shkruan Reuters.

Shërbimi rajonal i shpëtimit tha se aksidenti mes trenave ndodhi në qytezën perëndimore çeke, Domazlice.

Foto nga vendi i aksidentit (Burimi: HZS)

“Treni Ex 351 e kaloi shenjën “Stop” dhe u përplas me një tren udhëtarësh”, tha ministri çek i Transportit, Karel Havlicek, duke iu referuar trenit ekspres, Mynih – Pragë.

Agjencia e lajmeve, CTK, raportoi se shërbimet emergjente dërguan katër helikopterë pas aksidentit, që ndodhi pas orës 8 të mëngjesit afër fshatit Milavce, 140 kilometra në jugperëndim të Pragës.

Komandanti rajonal i zjarrfikësve, Jaroslav Hrdlicka, tha për një televizion çek se ekipet e shpëtimit ende janë duke kërkuar një person të zhdukur në vendin e përplasjes.