Trendafilova riemërohet kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës edhe për katër vite

Ekaterina Trendafilova është riemëruar sërish kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës edhe për katër vitet e ardhshme.

Lajmin për riemërimin e Trendafilovas e ka dhënë vet Dhomat e Specializuar të Kosovës, ku emërimi i saj ka ardhur nga shefi i misioni të EULEX’it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark.

Sipas njoftimit, kryetarja Trendafilova shprehu mirënjohjen për “besimin që i është dhënë për të vijuar t’u shërbejë Dhomave të Specializuara të Kosovës të cilat kanë hyrë në një fazë të re dhe të rëndësishme me nisjen e proceseve gjyqësore”.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë krijuar pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës, në vitin 2015, të amendamentit kushtetues dhe legjislacionit për funksionalizimin e këtij institucioni gjyqësor.

Në javën e parë të nëntorit të vitit 2020, Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar akuzat ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke i ngarkuar ata për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Më 24 shtator, Salih Mustafa, ish-epror i UÇK-së është arrestuar dhe dërguar në Hagë. Aktakuza e ngarkon atë për kryerjen e krimeve të luftës.

Ish-pjesëtarët e UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë arrestuar më 25 shtator nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku më pas u transferuan në qendrën e ndalimit në Hagë.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen “për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Kush është Ekaterina Trendofilova, kryetarja e Gjykatës Speciale?

Ekaterina Trendafilova (1953), juriste, akademike dhe gjykatëse e shquar nga Bullgaria, u riemërua Kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës në dhjetor 2016, dhe morri detyrën të cilën e filloi më 12 janar 2017.

Nga marsi 2006 deri në mars 2015, dr. Trendafilova shërbeu si gjykatëse e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN). Gjatë mandatit të saj në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ajo shërbeu si gjykatëse në Seksionin e Procedurës Paraprake (si kryegjykatëse e Dhomës II të Procedurës Paraprake dhe Kryetare e Seksionit të Procedurës Paraprake). Gjykatëse Trendafilova ishte anëtare e Dhomës së Apelit që nxori dy aktgjykimet e para të apelit në çështjet Prokurori kundër Thomas Lubanga Dyilo dhe Prokurori kundër Mathieu Ngudjolo Chui, si dhe në një sërë apelesh të ndërkohshme.

Përpara se të shërbente si gjykatëse në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, Kryetare Trendafilova ishte këshilltare e Ministrisë së Drejtësisë për çështjen e themelimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe shërbeu si eksperte në Ministrinë e Drejtësisë dhe Kuvendin e Bullgarisë, ku kryesoi seksionin penal të Këshillit Konsultativ Legjislativ. Ajo gjithashtu kryesoi grupin e punës për reformën e Kodit të Procedurës Penale të Bullgarisë dhe harmonizimin e tij me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, për administrim efikas të drejtësisë dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut (1998-1999).

Dr. Trendafilova përfaqësoi Bullgarinë në Komisionin e OKB-së për Parandalim Krimesh dhe Drejtësi Penale (1992-1994). Ajo gjithashtu shërbeu si zëvendësprokurore e qarkut në Gjykatën e Qarkut në Sofje (1985-1989) dhe punoi si avokate e regjistruar në shoqatën e juristëve të Sofjes (1995-2006).

Kryetare Trendafilova është fituese e bursës Humboldt (1993-1994) dhe asaj Fulbright (1997). Ajo u doktorua në vitin 1984 dhe është studiuese e njohur. Ka botuar dhe ligjëruar gjerësisht për procedurën penale, të drejtat e njeriut, dhe drejtësinë penale ndërkombëtare dhe krahasuese. Dr. Trendafilova është anëtare e shquar dhe kryetare e disa shoqatave juridike.