Trefishohet numri i ushtarëve që e braktisën FSK-në, vetëm këtë vit u larguan 78 pjesëtarë

Vetëm deri në muajin shtator të këtij viti, Forcën e Sigurisë së Kosovës e kanë lënë 68 ushtarë dhe 10 të tjerë rezervë – gjithsej 78 pjesëtarë. Kjo shifër është trefish më e madhe se numri i pjesëtarëve që ishin larguar në vitin 2019. Këto janë të dhënat që i ka siguruar gazeta Nacionale nga FSK-ja, bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike. Nacionale e sjell edhe rrëfimin e një ushtari që u largua nga ushtria e Kosovës në muajin prill.

Edon Morina për 12 vjet kishte shërbyer në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Përgjatë gjithë kësaj kohe, ai u gradua vetëm një herë. Kolegët e tij, brenda të njëjtës periudhë, u avancuan deri në katër herë. Për këto arsye e padrejtësi të tjera, Morina thotë se vendosi që ta braktiste ushtrinë e Kosovës.

Morina ka treguar se në FSK mungon mirëqenia për ushtarët dhe se kërkesat e ankesat e tyre asnjëherë nuk shqyrtohen.

“Gjithë kena shkru ankesa, qeky është problemi më i madh në FSK. Ankesa e një ushtari nuk merret parasysh, këtu është problemi. Sikur të ishte i formum një organ me tre persona nga jashtë, jo prej FSK-së, e që s’kanë asnjë interes prej kërkujt, me i shqyrtu këto ankesa, shumë më mirë do të ishte puna. Kërkush nuk i shqyrton këto ankesa. Ka pas mendime edhe më herët, por gradualisht janë tubu senet dhe në fund kam vendos me lanë”, ka treguar Morina.

May be an image of 1 person

Ai madje ka dhënë disa hollësi të padëgjuara më herët se si eprorëve të tyre nuk u bënte përshtypje fakti që ata po largohen nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

“Kurrë (nuk kanë tentuar të na ndalin). Ne kemi pasur rreshter-major të kazermës, i paguar me i motivu pjesëtarët. Ai qëllimisht ka thënë – kur ka thanë njani “kam me lanë, ky rreshteri ka thanë “aaa, se fort ia ninë FSK-së për ty. 100 si ti me e lanë, 100 FSK-ja i zëvendëson”. Paramendo, në vend se me motivu e me thanë “o zotëri, bëhet mirë, rregullohet, çka po të mungon e çka po të vynë ndihmë”, ka thanë “ti e lëshon e ai tjetri, 100 tjerë i gjejmë”, rrëfen më tutje ish-pjesëtari i FSK-së.

Edon Morina tregon se si është jeta e tij tash dhe për mallin që e ka ende për uniformën e ushtrisë.

“Jeta jem qetash është njëqindfish më e qetë. Te kisha dit, edhe më herët e kisha leshu – kur i kam pa padrejtësitë, sepse direkt nuk më ka bërë asgjë. E kam rritë eksperiencën, kam qenë në pozicion të mirë. Por çka u bëjshin të rinjëve, njerëzve që janë më të dobët, ajo është tmerr. Qaq shumë krenar jam që kam shërby, edhe jashtë saj jam krenar, e kam ble uniformën komplet me të gjitha pajisjet, i kam ble pajisjet veç me i pasë në shtëpi për qejf”, tregon ai.

May be an image of 2 people and outdoors

Në fund, Edon Morina, ish-pjesëtar i FSK-së, ka kërkuar nga institucionet që të mos i neglizhojnë asnjëherë kërkesat e ushtarëve, sidomos atyre që janë të rinj.

Largime masive

Gazeta Nacionale, bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, i ka siguruar të dhënat nga Forca e Sigurisë së Kosovës në lidhje me largimet e ushtarëve. Ajo që mund të konstatohet qysh në fillim, është se, për dallim nga viti 2020, deri në muajin shtator të këtij viti është trefishuar numri i ushtarëve që janë larguar vullnetarisht nga ushtria.

Në vitin 2020, numri i ushtarëve që janë larguar vullnetarisht nga Forca e Sigurisë së Kosovës ishte 19. Vetëm një vit më pas, numri i tyre shkoi në 50. Kurse në vitin 2022, deri në këtë kohë, janë larguar vullnetarisht 68 pjesëtarë të FSK-së dhe 10 të tjerë rezervë. Pra, deri në muajin shtator, vetëm këtë vit janë larguar 78 ushtarë nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Bazuar në të dhënat e siguruara nga Nacionale, 52 pjesëtarë gjatë këtij viti janë larguar si pensionistë të rregullt, ndërsa katër të tjerë si pensionistë të parakohshëm. Dhjetë janë larguar me vendim të bordit disiplinor, një ka vdekur, kurse katër të tjerë janë shkarkuar.

Në përgjithësi, për të gjitha arsyet, pa dallim, të numëruara më sipër, FSK-ja në vitin 2022 ka 180 ushtarë më pak.

Largimet nga FSK-ja i ka konfirmuar edhe ish-pjesëtari Edon Morina. Ai tregon se vetëm në njësinë e tij, brenda muajit, ishin larguar pesë pjesëtarë.

“Numri që po largohet është i madh. Veç në njësinë time, për 15 ditë e kena lëshu tre vetë, për një muaj pesë. Unë mendoj që arsyeja kryesore është mos-mirëqenia e pjesëtarëve dhe nuk merren parasysh ankesat e kërkesat e tyre”, ka thënë Edon Morina.

Përveç për padrejtësi, një numër i madh i largimeve vullnetare kanë të bëjë edhe me emigrimin e ushtarëve jashtë vendit. Kjo çështje ishte paraqitur disa herë në Kuvend, por edhe në Komisionin për Siguri.