Tre zv/ministra të Mbojtjes me një flamur! KUQEZI (FOTO)

Sot në Tiranë, zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani u prit në takim zyrtar nga zëvendësministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Petro Koçi.

Në takimin e përbashkët ishte edhe zëvendësministri i Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Bekim Maksuti.

Takimi në Ministrinë e Mbrojtjes kishte karakter diskutimi të përbashkët mbi përvojat në rajon në rrugën e integrimeve në NATO dhe për bashkëpunimin e mëtutjeshëm midis shteteve në çështjet e politikave të sigurisë dhe mbrojtjes.

Zëvendësministri Ramadani vlerësoi lartë takimin konsultues të këtij formati, duke theksuar dëshirën për zgjerimin e përfaqësimit edhe të shteteve tjera në rajon.

“Rajoni ynë dhe shtetet tona kanë nevojë të vazhdueshme për shkëmbimin e përvojave në proceset integruese, si dhe thellimin e bashkëpunimit për të promovuar vlerat perëndimore të rajonit“, tha Ramadani.

Ai, theksoi se Kosova është e përkushtuar në rrugën drejt NATO-s, dhe se anëtarësimi i shteteve të Ballkanit në NATO, është alternativa më e sigurt për zhvillimin e rajonit të sigurt dhe prosperues.