Katër persona kanë vdekur gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë. Këto shifra të frikshme janë konfirmuar nga Policia e Kosovës. tre persona kanë vdekur pasi janë goditur nga një veturë në autostradën Ibrahim Rugova, ndërsa një tjetër ka humbur jetën pasi u ther me thikë në Gjilan.
Policia e Kosovës ka konfirmuar aksidentin me tre të vdekur në Autostradën “Ibrahim Rugova”.
Sipas policisë, shoferi i veturës dyshohet se ka humbur kontrollin mbi veturën dhe për pasojë ka goditur tre persona meshkuj kosovar-këmbësorë.
Në këtë aksident, tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime.
I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
“AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITE – Autostrada-Ibrahim Rugova, (km-15) 16.12.2023-22:45. Gjatë ngasjes në autostradë i dyshuari kosovar dyshohet se ka humbur kontrollin mbi veturën dhe për pasojë ka goditur tre persona meshkuj kosovar-këmbësorë. Si pasojë, tre personat e goditur kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit dhe me vendimin e tij (tre) trupat e pajetë pasi është konstatuar vdekja e tyre nga ekipi mjekësor, janë dërguar në IML për obduksion. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me këtë aksident janë duke u kryer nga njësitet relevante policore.” – thuhet në raportin 24 orësh të PK-së.
Ndërsa rasti tjetër ka ndodhur në Gjilan.
Sipas policisë, një burrë dyshohet se me thikë e ka goditur një person tjetër duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
“VRASJE Gjilan 16.12.2023-21:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi që i njëjti dyshohet se me një mjet të mprehtë-thikë ka goditur viktimën mashkull kosovar, të cilit i ka shkaktuar lëndime vdekjeprurëse. Viktima është dërguar në QE-Gjilan, ku mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje. Rasti duke u hetuar.” – ka konfirmuar Policia e Kosovës.
VIDEO BONUS: Bërlloku e mbulon Tregun e Gjelbër në Prishtinë, tregtarët ia hedhin fajin AKP-së






