Tre projektet kryesore për Ulqinin, sipas Abazoviqit

Nuk ka më dimër me probleme për Ulqinin dhe gjithçka që do të bëjmë në periudhën e ardhshme, do të jetë një fillim i ri, tha kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Delegacioni qeveritar, i kryesuar nga Abazoviq dhe shtatë ministra, sot kanë vizituar Komunën e Ulqinit.

Ai tha se Ulqini i udhëhequr nga kryetari Omer Bajraktari, “për vetëm gjashtë muaj u bë shembull pozitiv i menaxhimit”.

“Kur erdhën në pushtet kishin vetëm 15 mijë euro në llogarinë e tyre, sot kanë më shumë se 2.4 milionë euro. Nuk ka krizë financiare për qytetin. Shpresoj që Galebi ynë i vjetër, por me një petk të ri, të hapet brenda tre vjetëve. Do të jetë hotel me pesë yje, luksoz, modern, operatori i të cilit do të jetë një nga markat më prestigjioze në botë. Do të ketë 400 dhoma…”, tha Abazoviq.

Ai deklaroi gjithashtu se duhet të fillojë ndërtimi i “Otrantit” të ri.

“Do të jetë shumë bukur. Të tre projektet do të krijojnë 1000 vende të reja pune. Duam ta pastrojmë edhe kanalin e Port Milenës”, shtoi ai.

Ndryshe, Abazoviq është shkarkuar muaj më parë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse të Serbisë.