Tre kosovarët e arrestuar në Merdar, Ministria u kërkon qytetarëve që ta shmangin Serbinë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konfirmon arrestimet e reja të kosovarëve në Serbi. MPJD përsërit apelin për qytetarët e Republikës së Kosovës që të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë dhe të përdorin rrugë alternative për udhëtim.

MPJD thekson se arrestimet janë shpeshtuar kohëve të fundit.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është njoftuar zyrtarisht përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd lidhur me arrestimet e reja të qytetarëve të Kosovës në Serbi. MPJD mbetet e angazhuar që bashkërisht me institucionet e nivelit më të lartë të vendit të trajtoj me prioritet çështjen e arrestimeve ilegale të qytetarëve të Kosovës në Serbi, veprime të cilat janë shpeshtuar muajve të fundit”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së dhënë Gazetës Express.

Për këto arrestime është njoftuar edhe Delegacioni i BE-së dhe misionet tjera diplomatike në Serbi si dhe po ashtu është dërguar shkresë zyrtare edhe tek  Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd, në vazhdimësi është duke ndjekur zhvillimet e procedurës për rastet e arrestimeve, për të cilat janë njoftuar edhe Delegacioni i BE-së dhe misionet tjera diplomatike në Serbi si dhe po ashtu është dërguar shkresë zyrtare edhe tek  Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë”, thekson MPJD.

Tutje, MPJD thekson se Serbia vazhdon të mos i respektojë marrëveshjet e arritura për lëvizje të lirë.

“Serbia vazhdon të ketë qasje destruktive dhe të mos i respektojë marrëveshjet e arritura përmes Procesit të Berlinit, konkretisht atë për lëvizje të lirë në ËB6”.

MPJD përsërit apelin për qytetarët e Republikës së Kosovës që të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë dhe të përdorin rrugë alternative për udhëtim.

Mëngjesin e sotëm është raportuar për arrestimin e tre kosovarëve nga komuna e Podujevës në pikën kufitare në Merdar.

Lidhur me arrestimin e këtyre 3 qytetarëve është deklaruar edhe kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, i cili tha se qytetarët janë ndaluar për 48 orë.

Kurse për motivet e arrestimit të tyre nuk dihet përveçse “po dyshojmë se janë hakmarrëse dhe po ndërlidhen me situatën në veri të vendit”, është shprehur Bulliqi.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka konfirmuar kidnapimin e tre pjesëtarëve të saj nga persona të maskuar dhe të armatosur.

Rasti ka ndodhur në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës.

Kur në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së. Por, policia ka njoftuar se në vendngjarje është gjetur vetëm vetura zyrtare.