Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë vazhdon të bëjë kontrolle të automjeteve rrugore të cilat kryejnë transport publik në rajonin e Gostivarit.

Në aksionin e djeshëm, të zbatuar nga ora 7 e 30 e mëngjesit deri në orën 15 e 30, janë kontrolluar 12 vetura të transportit publik, autobusë dhe minibusë. Gjatë kontrollimit te 3 autobusë është konstatuar parregullsi teknike në pajisjet për ndalim, ndërsa një minibus është vozitur nga një person i cili nuk e ka kaluar provimin përkatës për vozitje të autobusit.

“Tre autobusët jo të rregullt janë tërhequr nga komunikacioni dhe vozitësve dhe personave juridik u është përgatitur padi ligjore përkatëse”, njoftoi zëdhënësi i SPB Tetovë, Marjan Josifovski.

Ndryshe, dje në Gostivar janë regjistruar edhe 11 shkelje për vozitje me shpejtësi mbi të lejuarën.

Kontrollet e jashtëzakonshme në Gostivar janë duke u kryer pas ndodhjes së aksidentit tragjik që ndodhi javën e kaluar ku humbën jetën 15 veta, ndërsa 38 të tjerë u shtruan nëpër spitale për shkak të lëndimeve.