Trazirat në Francë| Sulmohet shtëpia e kryetarit të bashkisë, plagosen gruaja dhe një nga fëmijët

Gjatë natës, sulmuesit në një makinë kanë përplasur shtëpinë e kryetarit të periferisë së Parisit, L’Haÿ-les-Roses, thonë autoritetet.

Sulmi ndodhi në orën 01:30 (23:30 GMT), kur Vincent Jeanbrun ishte në zyrën e tij.

“Në orën 1:30 të mëngjesit, ndërsa isha në bashkinë e qytetit si tre netët e kaluara, disa individë u përplasën me makinën e tyre në banesën time përpara se t’i vinin zjarrit për të djegur shtëpinë time, brenda së cilës flinin gruaja ime dhe dy fëmijët e mi të vegjël,” tha kryebashkiaku Vincent Jeanbrun i L’Haÿ-les-Roses.

“Gjatë përpjekjes për të mbrojtur fëmijët dhe për t’u shpëtuar sulmuesve, gruaja ime dhe një nga fëmijët e mi u plagosën.”

Ishte “një tentativë vrasjeje e një frikacaku”, tha kryebashkiaku Jeanbrun. Policia ka nisur një hetim.

Franca është tronditur nga një valë protestash pas vdekjes së Nahel Merzouk, një 17-vjeçari me origjinë algjeriane, i cili u qëllua nga një oficer policie në Nanterre në fillim të javës dhe funerali i të cilit u bë të shtunën në një xhami në Nanterre, mes një pranie të madhe sigurie.