FSK
Tranzicioni i FSK-së do të kontribuojë në sigurinë rajonale
Një delegacion i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës i përbërë nga zëvendësministri Burim Ramadani, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe këshilltari ushtarak i komandantit kolonel Jeton Dreshaj, po qëndron për vizitë zyrtare në Slloveni në Kampanjën informuese për tranzicionin e FSK-së.
Në vizitën e parë delegacioni i FSK-së u prit nga Ales Mismas, drejtor për Politika në Ministrinë e Mbrojtjes të Sllovenisë.
Zv.ministri Ramadani dhe gjeneral Rama e njoftuan drejtorin për politika Ales Mismas me të arriturat e përgjithshme të FSK-së dhe në veçanti me procesin e tranzicionit të FSK-së.
“Tranzicioni i FSK-së do të kontribuojë në sigurinë rajonale, duke e bërë Kosovën ofrues të sigurisë dhe jo vetëm konsumues të saj. Tranzicioni i FSK-së është proces legjitim, gradual, transparent dhe i qëndrueshëm“, u shpreh Ramadani, sipas kumtesës për media, përcjell KosovaPress.
Kurse Mismas pasi falënderoi delegacionin e FSK-së për vizitën, tha:
“Angazhimi i përbashkët Kosovë-Slloveni në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut A5, si dhe rruga për anëtarësimin e Kosovës në NATO, janë çështje në të cilat Sllovenia mbështet Kosovën”, u shpreh ai.
Gjatë takimit të përbashkët, ndër të tjera ata biseduan edhe për marrëdhëniet e mira dypalëshe midis dy shteteve dhe dy ministrive, duke nënvizuar thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përgjithshëm për të dyja vendet dhe dy ministritë.