Florian Kohfeldt thotë se Milot Rahsica nuk mund të jetë në super-formë çdo fundjavë teksa ylli kosovar e nisi në mënyrë të furishme vitin 2019.

Ai realizoi katër gola dhe ishte i jashtëzakonshëm tek Werder Bremeni.

Mirëpo, në ndeshjet e fundit atij i kanë munguar golat.

Dhe, në duelin e fundit ndaj Wolfsburgut përfaqësuesi kosovar luajti 68 minuta dhe më pas u zëvendësua nga veterani i sulmit, Claudio Pizarro.

Trajneri Florian Kohfeldt i ka dalë në mbrojtje futbollistit vushtrrias, duke thënë se nuk mund të pritet çdo javë nga ai që ta vendosë lojën.

“Miloti është ende lojtar mjaft i ri. Ne nuk duhet ta harrojmë këtë. Ai nuk mund të jetë në top-formë çdo javë”, është shprehur Kohfeldt për 22 vjeçarin.

“Ne duhet t’i lëmë të luajnë këta futbollistë të rinj. Në këtë mënyrë ata mund të zhvillohen dhe përmirësohen”, ka përfunduar Kohfeldt.

Futbollisti kosovar javëve të fundit kishte probleme me shpinën, por duket se dhimbjet i kanë kaluar dhe ai është i gatshëm për ndeshjet e ardhshme.

Rashica pritet të japë kontribut të madh edhe për Përfaqësuesen e Kosovës këtë muaj në miqësoren me Danimarkën më 21 mars dhe në ndeshjen kualifikuese për Evropianin 2020 ndaj Bullgarisë më 25 mars.