Trajneri i Vojvodinës arsyeton tifozët serbë: U provokuan me flamurin shqiptar

Trajneri i Vojvodinas, Nenad Lalatovic, e ka komentuar ndërprerjen e ndeshjes në Brescia pas hyrjes së huliganëve serbë në fushë.

Sfida miqësore e zhvilluar në Orzinuovi të shtunën, u ndërpre në pjesën e dytë, pasi dhjetëra huliganë serbë hynë në fushë për t’u konfrontuar me disa persona që nxorën flamurin shqiptar në pjesën tjetër të tribunave.

“U përpoqën t’i provokonin tifozët tanë që ata t’i kalojnë mburojat. Ne u përpoqëm t’i qetësojmë, por as neve nuk do të na vinte mirë që dikush të na shante vendin në gjuhën shqipe”.

“U pa një grup prej 20 të rinjsh, të cilët prisnin që tifozët tanë t’i kalonin mburojat dhe kushedi se çfarë do të ndodhte”, ka thënë Lalatovic për 021.rs.

Ndeshja për herë të parë ishte ndërprerë në gjysmën e parë, kur gjyqtari Daniel Amabile e ndëshkoi me karton të kuq trajnerin Lalatovic dhe ekipi serb kërcënoi me largim nga loja, por pastaj lojtarët u kthyen.

Sidoqoftë, në pjesën e dytë loja u ndërpre gjatë kohës kur Brescia ishte në avantazh prej 2-1. Theksojmë se pjesë e klubit italian është edhe mesfushori shqiptar, Emanuele Ndoj.