Trajneri i Bayernit e kritikon ashpër skuadrën e tij, përkundër fitores

Trajneri i Bayern Munichut, Niko Kovac, e vuri në dyshim motivimin e skuadrës së tij, pasi atyre iu nevojit pak fat për të siguruar fitore me rezultat 1-2 kundër Bochum, klubit të nivelit të dytë të futbollit në Gjermani, në Kupën DFB-Pokal, të martën.

Bochum nuk kishte fituar ndeshje në shtëpi që nga maji dhe ata nuk janë në pozitën e fundit të ligës së nivelit të dytë të futbollit në Gjermani vetëm për shkak të dallimit në gola.

Për shkak të këtyre statistikave të Bochumit, Bayern Munich ishte favoriti për ndeshjen e rundit të dytë të Kupës së Gjermanisë, por autogoli i Alphonso Davies i shënuar në pjesën e parë të ndeshjes i solli ata afër eliminimit nga Kupa.

Skuadra e Kovacit arriti ta barazojë rezultatin e ndeshjes vetëm në minutën 83-të, përmes Serge Gnabryt, i cili e mori kontrollin e ndeshjes. Pais Armel Bella-Kotchap u ndëshkua me të kuq, Thomas Muller e shënoi një gol të vonshëm për fitore.

“Gjithçka shkoi keq për 60 apo 70 minutat e para”, tha Kovac, që foli i pakënaqur në konferencën e tij për media pas ndeshjes.

“Fakti që ne luajtëm me aq shumë pasime të këqija, sipas mendimit tim, kjo kishte të bëjë me motivimin dhe aspektin mendor të lojtarëve… s’kishte të bënte asgjë me taktikat”.

“Pati tepër shumë lojtarë që thjesht i bënin pasimet e gabuara. Pasi hynë në lojë Philippe Coutinho dhe Thomas Muller, gjërat u përmirësuan. Në fund patëm pak fat kundër Bochumit, që luajti shumë mirë”.

Bayerni, që radhitet në pozitën e dytë në tabelën e Bundesligës, do ta vizitojë Eintracht Frankfurtin të shtunën.

loading…