Trajkoviq: Ka qarqe të kënaqura nëse Kosova do të ndahej mes Serbisë dhe Shqipërisë

Politikania serbe nga Kosovë, Rada Trajkoviq ka komentuar lidhur me idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo në #DebatPernime ka thënë se qarqe intelektuale në Serbi janë pranues të një ndarjeje të Kosovës që do ta zhdukte këtë shtet.

“Ekzistojnë disa qarqe më të fuqishme që thonë se ne jemi për ndarje, por jo ndarje që nënkupton mbetjen e Kosovës, por thjeshtë ndarje që nuk nënkupton ekzistimin e Kosovës, ndarje në dy pjesë, me një pjesë shumë më të madhe e që do t’i takonte Serbisë, dhe pjesa tjetër që do t’i takonte Shqipërisë. Dhe kjo është diçka që me një fushatë disa qarqe mbase do ta pranon më me dëshirë sesa ta pranonin delimitimin”, ka deklaruar Trajkoviq.

Ajo tha se problemi në dialog janë Presidenti Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiqi.

“Këtu diku është përfshirja në thelb e Ramës, dhe ata llogarisin që me këtë marrëveshje, me Ramën dhe Shqipërinë, do të mund të dakordoheshin. Ata udhëtojnë, vizatojnë disa harta, investojnë shumë para në grupe të caktuara lobimi, të cilat tani lobojnë njëra pas tjetrës”, tha ajo.

Sipas saj, zgjidhja më e mirë do të ishte normalizimi i marrëdhënieve në praktikë mes qytetarëve serb e shqiptarë në Kosovë për një jetë më të lehtë të përbashkët.