Tottenham e mund Juventusin në një ndeshje dramatike falë golit fantastik të Kane

Harry Kane ka shkëlqyer me një gol të vonshëm fantastik nga gjysma e fushës në fitoren dramatike të Tottenhamit kundër Juventusit në International Champions Cup të dielën në Singapor.

Sulmuesi anglez Kane shënoi nga pika e mesit të fushës për t’i dhënë Tottenhamit fitoren 3:2 ndaj Juventusit në një takim tejet interesant dhe me shumë kthesa.

Skuadra e Mauricio Pochettinos pati një pjesë të parë më të mirë se ajo e Maurizio Sarrit dhe e kurorëzoi atë me një gol. Eric Lamela shënoi për 1:0 pas gjysmë ore lojë.

Sarri e nisi pjesën e dytë me katër ndryshime dhe nuk vonoi shumë dhe e barazoi rezultatin.

I sapo futuri në lojë, Gonzalo Higuain shënoi gol të bukur pas një kombinimi me Federico Bernardeschi në minutën e 56-të.

Vetëm katër minuta më vonë, kur akrepat shënonin një orë lojë, Cristiano Ronaldo e solli Juven në epërsi për herë të parë dhe të fundit në këtë takim, kur shënoi nga afërsia pasi u shërbye nga De Sciglio.

Blerja 85.5 milionë euro e Juves, Matthijs de Ligt, debutoi dhe luajti 25 minuta në këtë ndeshje.

Lucas Moura e ktheu gjigantin anglez në lojë duke shënuar për 2:2 në minutën e 65-të.

Një ndeshje shume interesante dhe me ritëm të lartë u kurorëzua nga një gol po aq brilant. Sulmuesi anglez Kane vuri re daljen e Szczensy dhe goditi nga pika e mesit të fushës duke shënuar për fitoren e Tottenhamit.

Tottenham tani ka 3 pikë në vendin e tretë, tri më pak se lideri Arsenal që ka 6 pikë. Juventus ashtu si Inter dhe Real Madrid mbetet pa pikë pas ndeshjes së parë.

loading…