Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, ka thënë se kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka, për tri vite në qeverisje ka suficit buxhetor afër 20 milionë euro.
Totaj në “Interaktiv” të KTV-së shtoi se kjo ka ndodhur për shkak të mungesave së kapacitetit për t’i futur në qarkullim ato para, e nga kjo, sipas tij, kanë pësuar më shumë bizneset prizrenase.
”VV-ja ka ardhur në pushtet në Prizren me pompozitet, me kritika të mëdha e me premtime të mëdha. Për tri vite, lëre që shumë dukuri nuk janë zhvilluar, por kanë ngecur. Për tri vite kemi suficit buxhetor afër 20 milionë euro. Mbi 90 për qind suficit konsiderohet korrupsion. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesave së kapacitetit për t’i futur në qarkullim, sidomos në ekonomi, në bizneset e Prizrenit, që kanë pësuar më së shumti nga kjo”, deklaroi ai.
Totaj pati edhe kritika të shumta për mënyrën e qeverisjes nga Haskuka.
“Ka pasur edhe shumë skandale të tjera sa i përket tenderave, ka kritika për papastërti. Deri tani janë ndërruar 17-18 drejtorë, prej tyre tetë kanë qenë të akuzuar. Ata që kanë qenë drejtorë të akuzuar, janë shkarkuar dhe i janë bashkuar kabinetit të Haskukës. Është ish-drejtori i Shërbimeve Publike, nuk dua të përmend emra. Kemi pasur shumë hapje dhe anulime të konkurseve. Ka pasur shumë skandale të tjera”, vijoi Totaj.







